
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka bërë thirrje bashkive për respektimin e afateve ligjore lidhur me publikimin e listave të zgjedhësve dhe vendndodhjen e qendrave të votimit.
Në njoftim theksohet se ka vonesa në afishimin e listave të zgjedhësve në disa bashki të vendit dhe se nuk ka asnjë informacion për caktimin e qendrave të votimit.
Deklarata e plotë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve:
Duke marrë në konsideratë detyrimet që burojnë nga Kodi Zgjedhor, lidhur me publikimin e listave të zgjedhësve, njoftimin me shkrim të zgjedhësve dhe raportimin për vendndodhjen e qendrave të votimit (QV), është e nevojshme të merren masa të menjëhershme nga ana e bashkive për respektimin e afateve dhe kërkesave ligjore.
Nga monitorimi i bërë nga KQZ:
- Janë konstatuar vonesa në afishimin e listave të zgjedhësve në disa bashki.
- Ka vështirësi në aksesimin e zgjedhësve me aftësi të kufizuara.
- Informacioni për caktimin e QV-ve dhe njoftimi i zgjedhësve ende nuk është raportuar.
Procesi i njoftimit të zgjedhësve nuk ka filluar në shumicën e bashkive për shkak të mungesës së fondeve dhe modelit të njoftimit, ndërsa afati për përfundimin e tij është 6 mars 2025.
Për të adresuar problematikat e sipërcituara, KQZ i kërkon bashkive:
Të përfundojnë raportimin e caktimit të vendndodhjes së qendrave të votimit brenda afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.
Gjithashtu, i kërkon Ministrisë së Brendshme lehtësimin e procesi të njoftimit të zgjedhësve për të siguruar që ky proces të realizohet brenda afateve ligjore.
Ditën e djeshme, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi sqaroi qytetarët që jetojnë jashtë vendit se regjistrimi për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit, bëhet vetëm online dhe jo fizikisht. Mes të tjerash u kërkoi që të deoncojnë rastet kur persona të caktuar u ofrohen që t’i regjistrojnë fizikisht për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme. Versus.al







