
Sot në Gjykatën Kushtetuese do të jepet vendimi përfundimtar mbi kërkesën e bërë nga grupi parlamentar i PD dhe disa organizata për rrëzimin e ligjit të tatimit ndaj profesioneve të lira.
Deputetja Jorida Tabaku, nismëtare e ankimit të ligjit të qeverisë që taton deri në 15% profesionistët e lirë, tha në hyrje të Gjykatës Kushtetuese se një ligj i tillë penalizon motorin e ekonomisë shqiptare duke ndërtuar sipas saj “një sistem kulakësh”.
“Unë kisha shpresuar që qeverisja të kishte një përgatitje më serioze. Qeveria tha se meqë këta fitojnë le ti biem. Sepse nuk lejojnë dot që dikush të fitojë pa lejen e qeverisë. Këtu funksionon sistemi i kulakëve, nuk u duhet kontributi i 30 mijë profesionistëve të lirë.
Nga miratimi i këtij ligji 11 mijë profesionistë të lirë kanë mbyllur aktivitetin e tyre dhe po i mbyllin përditë. Deklaratat e qeverisë më janë dukur tepër qesharake. Por të paktën në Gjykatën Kushtetuese duhet të kishin marrë seriozitetin për t’u përgatitur”- tha Tabaku ndër të tjera.
Nëse Gjykata Kushtetuese e lë në fuqi ligjin, nga 1 janari profesionistët e lirë do të tatohen 15% mbi të ardhurat e tyre. Me ligjin e miratuar nga qeveria i cili ka ardhur në zbatim nga data 1 janar të këtij viti, profesionistët e lirë, dikur të përjashtuar nga detyrimet tatimore do të duhet të derdhin detyrimet fiskale. Versus.al







