
Sot në orën 07:00 ka nisur procesi i votimit për zgjedhjen e kryebashkiakut të ri në Himarë. Në garë janë dy kandidatë, Petro Gjikuria nga PDBNJ dhe opozita, si dhe Vangjel Tavo nga radhët e socialistëve.
Qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 19:00 të mbrëmjes ndërkohë që do të votohet në 36 qendra votimi. Të drejtën e votës në këto zgjedhje të parakohshme e kanë 23 mijë qytetarë të bashkisë Himarë. Do të aplikohet idetentifikimi elektronik, ndërsa qendrat e votimit do të jenë të monitoruara me kamera. Policia ka marrë masat për mbarëvajtjen e këtij procesi votimi me praninë e efektivëve të policisë nëpër qendrat përkatëse.
Dje u bë e mundur dorëzimi i materialeve zgjedhore nëpër qendrat e votimit, ndërsa kryeministri Edi Rama në mbyllje të fushatës i konsideroi himariotët si “baskët” dhe premtoi se çështja e pronave shumë shpejt do të gjejë zgjidhje.
Nga ana tjetër, liderët e opozitës Meta dhe Berisha duket se kanë zgjedhur të qëndrojnë larg fushatës zgjedhore në Himarë duke mos u prononcuar shumë për Petro Gjikurinë, kandidatin e PBDNJ. Që pas zyrtarizimit të kandidaturës së tij pati polemika pasi PD e Himarës pretendoi se Gjikuria ishte përzgjedhur, pa u konsultuar me ta.
Retorika u ashpërsua mes dy kandidatëve gjatë fushatës së tyre, pasi Gjikuria denoncoi Tavon në SPAK për ndryshimin e adresës në gjendjen civile. Nga ana tjetër, ky i fundit pati edhe një ftesë për Gjikurinë. I bindur për fitoren Tavo i propozoi kandidatit të opozitës që pasi të humbiste, mund të ishte nënkryetar i bashkisë.
Vangjel Tavo vjen nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim ku ka qenë deputet gjatë legjislaturës 2013-2017, ndërsa për një periudhë 1 vjeçare 2012/2013, mbajti postin e ministrit të Shëndetësisë.
Petro Gjikuria është një biznesmen shqiptaro-amerikan, me banim në SHBA. Në nisje të fushatës së tij për zgjedhjet në Himarë ai premtoi zgjidhje për problemet e qytetarëve ndërsa tha se do të ndiqte rrugën e Fredi Belerit sa i takon qëndrimeve politike.
Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, u arrestua më 12 maj për blerje votash në Himarë. Pavarësisht se pas zgjedhjeve rezultoi të ishte kandidati fitues, Beleri u mbajt në paraburgim duke mos u lënë të betohej derisa GJKKO e dënoi me 2 vite burg. Në këto kushte, më 5 korrik KQZ shpalli pavlefshmërinë e mandatit të Belerit. Menjëherë presidenti Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht për zgjedhjet e parakohshme, datë që pavarësisht kundërshtive, nuk u ndryshua.
Bashkia e Himarës ka përjetuar një cikët problematik të drejtimit në vitin e fundit. Me pamundësinë e Belerit për të ushtruar detyrën e tij si kryebashkiak i zgjedhur, këtë detyrë e vijoi kryebashkiaku socialis Jorgo Goro pavarësisht humbjes, derisa në mars u arrestua me urdhër të SPAK për tjetërsim pronash. Goro u pasua nga Blerina Bala e cila u zgjodh me vota të këshillit bashkiak. Kohëzgjatja e saj në detyrë ishte rreth 2 muaj, pasi zgjodhi të jepte dorëheqjen për arsye siç i cilësoi ajo “personale”. Bala u zëvendësua nga Arqile Bollano i cili u zgjodh me 12 vota të këshillit bashkiak. Sot pritet të përfundojë cikli “problematik” i zgjedhjes së drejtuesit të Himarës. Versus.al







