Komisioni i Venecias ka publikuar opinionin zyrtar lidhur me çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Në përgjigjen e dhënë thuhet se deputetët e Kuvendit duhej të kishin votuar pro vendimeve të Gjykatës Kushtetuese e cila kërkonte që mandati i Xhaçkës t’i kalonte për shqyrtim, por theksoi se deputetët nuk mund të detyrohen për një gjë të tillë.
“Kur vendimi i një Gjykate Kushtetuese interpreton Kushtetutën si kufizim të fuqisë vendimmarrëse të Parlamentit, ky i fundit duhet të marrë një vendim në përputhje me gjykimin e Gjykatës dhe të votojë për çështjen e kufizuar të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, dhe jo edhe për mundësinë për ta referuar çështjen në Kushtetuese. Pra, Parlamenti nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar, por është në gjendje të votojë vetëm për çështje që janë në kompetencën e tij”- thuhet ndër të tjera në opinionin e Venecias.
Çështja e mandatit të Xhaçkës është shndërruar në temë kryesore debati mes mazhorancës dhe opozitës prej më shumë se një viti. Opozita pretendon se Olta Xhaçka ndodhet në kushtet e shkeljes së ligjit dhe të papajtueshmërisë së mandatit, pasi qeveria i dha bashkëshortit të saj Artan Gaçi statusin e “investitorit strategjik”.
Vetëm brenda këtij viti, socialistët kanë rrëzuar me shumicë votash në Kuvend dy vendime të Gjykatës Kushtetuese për papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës. Paçka se Kushtetuesja kërkonte që çështja t’i dërgohej për shqyrtim, herën e parë socialistët votuan me shumicë kundër, ndërsa herën e dytë abstenuan dhe vendosën që t’i drejtoheshin komisionit të Venecias për opinion. Versus.al
Dokumenta bashkëngjitur








