
Vangjel Tavo do të jetë kandidati i Partisë Socialiste në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen në bashkinë e Himarës më 4 gusht.
Përzgjedhja e tij u bë gjatë mbledhjes që kryesia e PS mbajti mëngjesin e sotëm në kuadër të daljes me një emër konkret pasi presidenti Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Aktualisht Vangjel Tavo mban postin e prefektit në qarkun e Vlorës.
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi tha se arsyeja për zgjedhjen e Tavos si kandidaturë për bashkinë e Himarës, vjen si pasojë e njohjes që ky i fundit ka për zonën.
“Tavo është figurë e njohur politike, njohës i asaj zone. Po ashtu vjen edhe nga betejat elektorale që e bëjnë atë një kandidaturë të mirë. 4 gushti është shumë afër, do kemi një garë të qetë elektorale”- u shpreh Klosi.
Të premten KQZ shpalli të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës, ndërkohë që ky i fundit ishte i pranishëm në sallë me pranga në duar pasi mori leje nga Drejtoria e Burgjeve për t’u paraqitur. Versus.al







