
Ditën e sotme po zhvillohen zgjedhjet për kryebashkiakun e Himarës, të cilat janë hapur prej orës 7:00 të mëngjesit.
KQZ ka publikuar listat e pjesëmarrësve duke theksuar edhe një rritje të tyre në votime, në krahasim me vitin e kaluar.
Mirëpo një reagim për mediat ka bërë edhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, i cili e ka përkufizuar procesin zgjedhor si më absurdin që mund të ndodhë ndonjëherë.
Sipas Dules ky është një proces i mbështetur në dekret presidencial dhe ende nuk ka marrë vendim në formë të prerë.
Ai shtoi gjithashtu se Himara do të ketë të nesërmen dy kryebashkiakë të zgjedhur.
"Është procesi zgjedhor më absurd i mundshëm që mund të ndodhë. Është proces i mbështetur në dekret presidencial të ankimuar nga PBDNJ dhe ende nuk ka një vendim të formës së prerë lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit. Nesër Himara do gdhihet me dy kryebashkiakë të zgjedhur. Mandati i Belerit, nuk është i ndërprerë conform ligjit dhe me vendim të formës së prerë. Është për t’u gjykuar ankimimi në KAS i PBDNJ dhe i Belerit, brenda hapësirës kohore të 30 ditëve që parashikon ligji e procedura", tha Dule./ Versus.al







