
Deputeti Agron Shehaj ka patur një përplasje të ashpër me Denis Derallën, drejtorin e Mikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë teksa në emisionin “Top Story” u diskutua skema e mashtrimit me mikrokreditë, pre e së cilës kanë rënë shumë qytetarë shqiptarë.
Teksa foli për aktin e vetëflijimit të Pal Trashajt para SPAK-ut, Shehaj tha se shkak për këtë ngjarje të rëndë ishte bërë fakti që për shkak se nuk kishte paguar 300 mijë lekë, banka i kishte marrë gjithë pasurinë.
Një gjë e tillë u mohua nga ana e Derallës i cili tha se nuk është e vërtetë që Trashajt i ishte marrë e gjithë pasuria. Debati pati një moment eskalimi kur Shehaj i kërkoi Derallës seriozitet pasi në këtë rast një qytetar ishte vetëvrarë për shkak se nuk kishte bërë si duhet punën e tij.
Pjesë nga debati:
Shehaj: Një person ka vrarë veten para disa ditësh i dëshpëruar se i kishin marrë gjithçka dhe nuk kishte paguar 300 mijë lekë. Ky është fakt”, tha Shehaj.
Deralla: Jo nuk është fakt, nuk i kanë marrë gjë fare
Shehaj: Nuk është fakt që vrau veten se kishte probleme me mikrokreditë? Edhe këtë do ta mohoni?
Deralla: Nuk është fakt që i kanë marrë gjithçka
Shehaj: Është fakt që ka vrarë veten se kishte probleme me mikrokreditë dhe përmbaruesit?
Derralla: Po ky është fakt, jo i kishin marrë pasuritë
Shehaj: Kini respekt minimalisht për një person se vrau veten se ju nuk bëtë punën tuaj. Dhe ju rrini dhe qeshni.
Më 2 korrik, Pal Trashaj piu fostoksinë para ambienteve të SPAK-ut pasi prokurorët e posaçëm nuk e kishin pritur në takimin ku ai do të tregonte problemin e tij me mikrokreditë. Ai u dërgua me ambulancë në spital por nuk mundi të mbijetonte, duke ndërruar jetë mëngjesin e tre korrikut. Djali i tij, në një intervistë për mediat tha se shkak për vetëflijimin e të atit, ishte bërë një kredi prej 80 mijë lekësh të cilën pretendonte se e kishte shlyer, por vitë më vonë subjekti bankar kishte dalë me pretendimin se nuk ishte kështu dhe i kishte sekuestruar pasurinë e të ardhurat. Versus.al







