
Gledis Trashaj, djali i Pal Trashajt, 63 vjeçari i cili ndërroi jetë mëngjesin e sotëm pasi kishte pirë fostoksinë në dyert e SPAK, ka folur për mediat duke dhënë detaje nga ngjarja e rëndë.
Ai tha se i ati kishte telefonuar të ëmën për t’i thënë se kishte pirë fostoksinë ndërsa theksoi padrejtësitë që ishin bërë me sekuestrimin e pronave dhe pagave nga ana e shoqërisë përmbarimore për një kredi që shoqëria MCA pretendonte se nuk ishte shlyer.
“I kishte thënë mamit në telefon se kishte pirë fostoksinë. Në spital na ka thënë se e bëri se nuk po gjente dot drejtësi. Më shqetëson fakti se SPAK duhet të verifikojë përfundimet e gjykatave. Humbja është katastrofale. Jemi shokuar emocionalisht. Në 2014-ën, shoqëria përmbarimore na bllokoi edhe pagat. Një njeri kur arrin të marrë një akt kaq drastik për të vrarë veten, do të thotë se ka qenë në gjendje shumë të rëndë psikologjike.
Tek SPAK-u ka shkuar me këto vendime gjykatash. Në prill ka marrë përgjigjie nga SPAK ku i ishte thënë se nuk qëndrojnë pretendimet. Si mund të ndodhë që një shoqëri përmbarimore të vendosë sekuestro mbi pagën e mbi gjithçka”- u shpreh Gledis Trashaj.
Ndërsa më tej theksoi se çështjen e rëndë që solli edhe vdekjen e të atit do ta çonte edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut.
Pal Trashaj, një ish-zyrtar i bashkisë Lezhë kishte denoncuar në SPAK raste të mashtrimit me mikrokreditë që kishte sjellë më pas edhe sekuestrimin e pronave që kishin në zotërim. Aktin e rëndë të vetëhelmimit e bëri jashtë dyerve të SPAK në gjendje të rënduar psikologjike dhe më pas njoftoi edhe gazetarët e pranishëm para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, të cilët njoftuan ambulancën. Versus.al







