
Sot në orën 10:00 gjyqtari i posaçëm Engert Pëllumbi, do të japë vendimin lidhur me kërkesën e kryebashkiakut Erion Veliaj për lirimin nga qelia ku po mbahet prej një muaji.
Pas dy seancave maratonë të mbajtura të martën dhe të mërkurën, sot gjyqtari do të shpallë vendimin pasi ka dëgjuar akuzat e SPAK dhe pretendimet e mbrojtjes së Veliajt.
Seanca e mbajtur të martën, u shty për shkak se prokurorët e posaçëm të SPAK paraqitën prova të reja të siguruara si pasojë e përgjimeve ndaj Veliajt në qelinë e paraburgimit dhe takimet e telefonatat me njerëzit e besuar.
Veliaj ka ofruar garanci pasurore prej 5 milionë lekësh në këmbim të zbutjes së masës së sigurisë, duke pretenduar se nuk përbën rrezik për prishjen e provave të hetimit, apo për largim nga vendi. Ndërsa prokurorët e SPAK mendojnë të kundërtën. Ditën e djeshme në seancë përballë tij ishin kreu Altin Dumani dhe prokurori i çështjes Ols Dado, ndaj të cilit kryebashkiaku vazhdimisht ka bërë reagime në rrjete sociale me akuza dhe fyerje të rënda.
Apelimin e masës së sigurisë, e ka bërë edhe biznesmeni Elman Abule që mbahet nën masën e arrestit me burg dhe 3 biznesmenë të tjerë ndaj të cilëve është caktuar masa “detyrim paraqitje”. Kryebashkiaku Erion Veliaj akuzohet për pastrim parash dhe korrupsion në 9 raste të ndryshme. Versus.al







