Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Kuvend u përqendrua në rastin e opinionit të dhënë nga Komisioni i Venecias për mandatin e Olta Xhaçkës.
Berisha e cilësoi “të paimagjinueshme” praninë e Xhaçkës në Kuvend paçka se komisioni i Venecias kishte argumentuar se qeveria duhej të kishte votuar pro vendimit të Gjykatës Kushtetuese për marrjen nën shqyrtim të mandatit të deputetes socialiste.
“Kjo që ndodh në këtë parlament është e pashembullt. Kjo mazhorancë është shndërruar në parzmore të grabitjes dhe plaçkitjes së pasurisë publike nga ministrat dhe qeveritarët.
Në historinë e Europës dhe të botës kurrë nuk ka ndodhur që një ministre pasi burrin e vet investitor strategjik, në shkelje flagrante të ligjeve të vendit, pra pasi përvetësoi duke përdorur pushtetin e besuar nga qytetarët për të pasuruar vetën dhe familjen e vet me një pronë 10 mijë metra katrorë tokë publike në një zonë ku kushton të paktën 250 euro metri katror, tani ju poshtëroni Kushtetutën, poshtëroni vendin, poshtëroni zgjedhësit dhe mbani këtu në mënyrën më të paimagjinueshme njeriun e ndëshkuar nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias”- tha Berisha.
Ndër të tjera, ish-kryeministri akuzoi qeverinë se po bllokonte vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe opinionin e Komisionit të Venecias. Sipas tij, Xhaçka mbrohet personalisht nga kryeministri Edi Rama për abuzimet me pronat në bregdet ku bashkëshorti i saj është shpallur investitor strategjik.
“Pse ndodh kjo? Ky është një qëndrim ekstrem për të mbrojtur me çdo kusht vjedhjet, plaçkitjet që kanë bërë. Fijet e Olta Xhaçkës, që bëhet këtu personazh unik, janë të lidhura direkt me Edi Ramën. Janë të lidhura direkt me Edi Ramën sepse Edi Rama, siç është bërë tashmë e njohur, është 30 përqindëshi i investitorëve strategjikë.
Por në qoftë se ju, pasi keni futur në xhep Skapin e partisë, pasi përpiqeni të injoroni tërësisht aktet e kontrollit të shtetit, bllokoni dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, bllokoni edhe vendimet e Komisionit të Venecias. Flamuri juaj i zi i hajdutit meriton të digjet në sheshin Skënderbej.Është bërë shumë evidente se të gjitha aferat që çojnë tek kryehajduti Edi Rama nuk mund të diskutohen”- tha Berisha.
Pasi mbajti fjalën në foltore, Berisha u largua nga salla e Kuvendit dhe foli për mediat në dalje të institucionit duke u shprehur se kishte informacione për një luftë të brendshme në Partinë Socialiste. Versus.al








