
Dikur Hati Deliaj kishte qenë një grua simpatike, e bëshme, me shkëlqim në sy. Jetonte në Itali ku punonte si kuzhiniere dhe me kursimet mendonte për pleqërinë. Pak para se pleqëria vertetë të vinte u martua… Tamam - tamam, u zezua…
Hati Deliaj nuk është gruaja e vetme e vrarë nga dhuna e një burri në Shqipëri. Fatkeqësisht nuk ka sesi të jetë as e fundmja. Engjëllush Deliaj, burri me të cilin ajo kishte lidhur kurorë vitet e fundit, pasi Hati nuk i kishte nxjerrë më heret fat tjetër vetes, e bëri të vdekur.

E jo vetëm me dru, por dyshohet se edhe e thau urie për një javë, pasi e kishte rrahur pa mëshirë e pa pushim derisa e kishte lënë shakull.
E motra e Hati Deliaj rrëfen se 70 vjeçari i kishte thyer nofullën të motrës, e cila në pamundësi për të folur, kërkuar ndihmë, ushqyer apo edhe thjeshtë për të ulëritur dhimbjet që veç shpirti i saj i di se çfarë ka kaluar, ka kaluar në kllapi jo vetëm nga dhuna, por edhe nga uria e dehidratimi. Mjekët sipas saj i kanë thënë se veç dhunës, ajo mund të kishte ditë të tëra pa ngrënë…
Mos qoftë siç thotë e motra!
Ëngjëllush Deliaj, baba i tre fëmijëve, në këtë një javë që ka bërë të vdekur gruan e dytë, ndërsa priste me shumë gjasa që ajo ta kalonte dhe këtë herë si herët e tjera, ka ngrënë, ka pirë, ka dalë, ka parë TV e folur me të gjallë, veç për Hatin që i kishte bërë hatanë nuk kishte fort kohë të mendonte… Kur e ka parë se tragjedia ishte në prag, frikacak si çdo dhunues femrash, ka njoftuar një të afërme dhe pastaj bashkë me të keqen që ka bërë më duart e tij, ka marrë dhe rrokopujën drejt burgut, kur me gjasa nuk do të dalë veçse i vdekur
E ndërsa Hati do të prehet tek të shumtit, Ëngjellushi në burg ndoshta do të gjejë kohë të mendohet për çfarë gjëme bëri, por ajo që të sjellë rropullitë tek goja është (mos) reagimi qytetar…
Titujt morbidë, plot me detaje pështjelluese që janë klikuar me mijëra herë, por reagim kanë sjellë ZERO.
Burra, e në disa raste dhe gra, nëpër rrjete sociale që justifikojnë dhunën se “askush nuk të rreh kot” TMERRRR!!! Kemi mbëritur në pikën ku veç vdekja e një fëmije na prek! Çfarë hataje po ndodh me shqiptarët? Si u bëmë kaq cinikë të pandjeshëm?! Ka sociolog, psikolog a psikiatër të na bëjë dot një skaner si shoqëri?
Me çfarë duhet ta paguajë një grua jetën e saj? Me çfarë?!
Tre vjet më parë, në 22 gusht të 2021, Marigona Osmani u vra barbarisht pasi u përdhunua dhe dhunua për 72 orë nga bashkëjetuesi i saj Dardan Krivaqa në dhunim u përfshi dhe Arbër Sejdiu.
Ngjarja e ndodhur në Ferizaj, jo vetëm që tronditi Kosovën, por nxiti qytetarët të reagonin fort, shumë fort duke mos lënë që kjo histori të harrohej për 2-3 ditë.
Në Kosovë qytetarët dolën në rrugë, jo vetëm si presion ndaj policisë e dejtësisë, por edhe për të mbrojtur Marigonën tashmë të pagojë… Protestuan më vonë dhe kundër drejtësisë dhe të ndjerën e familjen e saj nuk e lanë vetëm.
Në Kosovë ka reagimin për një vdekje të dhunshme, në Shqipëri reagimi vjen i atrofizuar, edhe në rrjete sociale, i pashtyllë kurrizore dhe gratë si Hati bëhen veç statistika për policinë dhe me gjasa projekte shoqatash grash që sot nuk u ndjenë se ishin kund "gjallë"…
Ja sa të kthehen nga pushimet se e shikon edhe Hati nga lart sesa i “vlen lëkura”, kur të bëhet historia e saj ndonjë “derr” projekti.
Hati, keqardhje që ke jetuar dhe vdekur e braktisur! Keqardhje që askush nuk ndihmoi dot në të gjallë! Keqardhje që askush nuk u shqetësua nga ulërimat e tua, shenjat që lë gjithandej, kur u izolove në të gjallë nga një palo qënie që veç burrë nuk ka qenë, keqardhje për jeten tende e pajetuar!
Hati, të qoftë dheu i lehtë e gjetsh paqe në qiell!
Shqiptarët, ata që lë do të jenë…






