Media prestigjoze Bloomberg i ka kushtuar një artikull aeroportit ndërkombëtar të Vlorës dhe investimeve të dhëndrit ë Donald Trump, Jared Kushner në Sazan. Në shkrim thuhet se aeroporti i Vlorës do ti japë një tjetër shtysë zhvillimit të turizmit në jug së bashku me projektin e dhëndrit të presidentit Donald Trump, i cili do të tërheqë më shumë turistë elitarë në vend.
Bloomber shkruan se operacionet me charter pritet të fillojnë këtë verë ndërsa aeroporti pritet të ofrojë shërbim të plotë tregtar më vonë gjatë vitit. Në brendësi të artikullit theksohet se aeroporti i Vlorës do të lehtësojë aksesin në pjesën jugore të vijës bregdetare të Shqipërisë, e cila kohët e fundit është shndërruar në një magnet për turistët e joshur nga çmimet më të lira dhe një destinacion premtues krahasuar me Greqinë ose Kroacinë.
Sipas Bloomberg nisja e operacioneve në aeroportin e Vlorës është një mundësi e madhe për ta rikthyer Vlorën në një destinacion turistik të nivelit të lartë. Ndërsa jo shume larg ndodhet ishulli i Sazanit, ku Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, planifikon të zhvillojë një resort luksoz prej 1.4 miliardë dollarësh.
Aeroporti parashikohet të ketë një kapacitet fillestar prej 2 milionë pasagjerësh në vit, me qëllim që të arrijë 10 milionë brenda një dekade. I vendosur vetëm 10 kilometra larg Vlorës, aeroporti do të lehtësojë presionin mbi kryeqytetin e vendit, Tiranën, e cila vitin e kaluar përballoi 10.7 milionë pasagjerë. Aeroporti nuk do të përqendrohet vetëm në sezonin e pikut turistik. Ai gjithashtu synon t'i shërbejë diasporës së madhe shqiptare, pasi pothuajse një e katërta e popullsisë së saj jeton përtej kufijve të saj.
Sipas Bloomberg turizmi është një kontribuues kyç në ekonominë e vendit, duke përbërë rreth 20% të produktit të brendshëm bruto ndërsa një në pesë shqiptarë punon gjithashtu në këtë industri, sipas të dhënave të Këshillit Botëror të Udhëtimeve dhe Turizmit.
Projekti në Shqipëri
Më 30 dhjetor të vitit të kaluar, vetëm tre javë përpara betimit të dytë të Trump, qeveria shqiptare dha miratimin paraprak që Kushner të zhvillonte një resort luksoz prej 1.4 miliardë dollarësh në Sazan, ishulli i vetëm i Shqipërisë në Mesdhe. Është një nga investimet më të profilit të lartë deri më sot nga firma e tij private e kapitalit, Affinity Partners, të cilën Kushner e ngriti menjëherë pas përfundimit të mandatit të parë të Trump, kryesisht me fonde nga Arabia Saudite.
Në mars të vitit 2024, Kushner kishte publikuar në rrjetet sociale dizajnet potenciale të investimeve të firmës së tij në Shqipëri. Kushner kishte deklaruar se synon ta shndërrojë ishullin më të madh të Shqipërisë, Sazan, që gjendet në Detin Mesme, në një destinacion luksoz për turistët. Sazani është kryesisht i braktisur dhe aktualisht është bazë ushtarake dhe gjysmë i hapur për publikun. Dhëndëri i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se dëshiron të ndërtojë disa hotele dhe qindra vila në Zvërnec, një zonë bregdetare në Vlorë, në jug të Shqipërisë.







