AKTUALITET /

Rritja e çmimit të biletës dhe abonesë nga 'Shpresa-al', justifikohet Berisha: Kompania ka blerë mjete moderne!

Rritja e biletave Kamëz–Tiranë shkakton debate: Sali Berisha justifikohet me autobusët e rinj modernë, por qytetarët ankohen për barrën shtesë ekonomike. Kompania “Shpresa-AL” rriti tarifën nga 40 në 50 lekë për biletë dhe abonimin mujor në 14.000 lekë, me votat e bashkuara të socialistëve dhe demokratëve në Këshillin Bashkiak të Kamzës.

Shkruar nga Versus

Rritja e çmimit të biletës dhe abonesë nga

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u pyet sot për rritjen e çmimit të biletave në linjën e transportit urban Kamëz–Tiranë, vendim që u miratua në Këshillin Bashkiak të Kamzës me votat e bashkuara të socialistëve dhe demokratëve në favor të kompanisë operatore “Shpresa-AL”.

Berisha u shpreh se është i informuar për shqetësimin e qytetarëve që përdorin këtë linjë dhe premtoi se çështja do të shqyrtohet me kujdes nga strukturat e partisë.

Megjithatë, ai ofroi një justifikim të qartë për vendimin e marrë: sipas tij, kompania ka investuar në mjete të reja transporti më moderne, gjë që ka sjellë nevojën për rregullim të tarifës.

“Përsëri ne do e shqyrtojmë problemin. Çfarë ka ndodhur, jam informuar. Kompania ka ndërruar mjetet e transportit, i ka blerë më moderne, dhe mbi këtë bazë, në mos gaboj, megjithatë ne do informohemi më mirë dhe do u përgjigjemi”, deklaroi Berisha.

Nga 1 nëntori 2025, bileta e vetme në linjën Kamëz–Tiranë u rrit nga 40 lekë në 50 lekë, ndërsa abonimi mujor shkoi nga 12.000 lekë në 14.000 lekë. Rritja u miratua nga Bashkia Kamëz pas një kërkese zyrtare të operatorit “Shpresa-AL”, e shoqëruar me analizë të detajuar të kostove.

Në dokumentin e paraqitur pranë Drejtorisë së Transportit të Bashkisë Kamëz, kompania argumentoi se rritja e çmimeve të karburanteve, shpenzimet operative në rritje dhe investimet në flotën e re e bëjnë të pashmangshme përshtatjen e tarifës për të mbajtur shërbimin të qëndrueshëm.

Vendimi ka shkaktuar reagime të shumta nga qytetarët e zonës, të cilët e konsiderojnë rritjen e çmimit si barrë shtesë për familjet me buxhet të kufizuar, sidomos në kushtet e inflacionit dhe kostos së lartë të jetesës.

Reagimi i Berishës vjen në një kohë kur opozita ka akuzuar vazhdimisht qeverinë për menaxhim të keq të çmimeve dhe shërbimeve publike, por në këtë rast konkret, grupi i PD-së në Këshillin Bashkiak të Kamzës votoi pro rritjes së tarifës. /Versus.al

Poll