Zhvillime të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e të riut Martin Çeço, një nga ngjarjet më të rënda kriminale të viteve të fundit në vend.
Pas vendimit të Gjykata e Apelit, e akuzuara Martina Pajollari ndodhet prej dy javësh në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit. E njëjta masë është caktuar edhe për tre të akuzuarit e tjerë: Valter Mollaj, Edlir Mollaj dhe Bledi Angjo, me vendim të mëparshëm të Gjykata e Shkallës së Parë Korçë.
Të katër personat akuzohen për vrasjen e 26-vjeçarit, një krim që tronditi opinionin publik në qershor të vitit 2022. E kontaktuar nga mediat, Pajollari ka refuzuar të japë deklarata, duke u shprehur shkurt: “Gjithçka që kam për të thënë, e kam thënë në gjykatë. Nuk dua të flas për mediat.”
Ngjarja ndodhi më 12 qershor 2022 në fshatin Kolavec të Maliqit, ku trupi i pajetë i të riut u gjet i mbytur me litar dhe i hedhur në një rezervuar, dy ditë pasi familjarët kishin denoncuar zhdukjen e tij.
Për këtë krim, në shkallë të parë, u shpallën fajtorë kushërinjtë Mollaj, bariu Angjo dhe Pajollari, e cila sipas hetimeve kishte nxjerrë viktimën në pritë.
Megjithatë, Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur të prishë vendimin e mëparshëm të datës 10 shkurt 2025, kur të akuzuarit ishin dënuar me një total prej 83 vitesh burg. Trupa gjykuese ka urdhëruar kthimin e çështjes për rigjykim në të njëjtën gjykatë, por me një trupë tjetër gjyqtarësh.
Ndërkohë, pritet që procesi i ri gjyqësor të hedhë më shumë dritë mbi rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë./Versus.al

