AKTUALITET /

Detaje nga rrëmbimi si në filma në Tiranë: Ndërtuesi dhunohet dhe mbahet peng gjithë natën, pengmarrësit u paraqiten si agjent të BKH-së

Viktima, biznesmeni me iniciale F. Sula nga Divjaka, i kthyer nga jashtë rreth dy muaj më parë, kishte qenë prej kohësh në vëzhgimin e autorëve.

Shkruar nga Versus

Detaje nga rrëmbimi si në filma në Tiranë: Ndërtuesi

Një ngjarje e rëndë kriminale është zbuluar në Tiranë, ku një ndërtues 32-vjeçar është rrëmbyer dhe mbajtur peng për disa orë nga tre persona, të cilët i kanë kërkuar fillimisht 2 milionë euro në këmbim të lirimit.

Ngjarja ka ndodhur më 31 mars, por është bërë publike pas ndërhyrjes së policisë, e cila ka arrestuar dy prej autorëve: Hysen Neza, 33 vjeç dhe Kevin Neza, 25 vjeç. Ndërkohë, është shpallur në kërkim 28-vjeçari Jurgen Neza, vëllai i njërit prej të arrestuarve.

Sipas burimeve, tre autorët – dy vëllezërit dhe kushëriri i tyre – janë emra të njohur për policinë, me precedentë penalë për vjedhje dhe konflikte të ndryshme, si dhe dyshohet se janë përdorues të lëndëve narkotike.

Viktima, biznesmeni me iniciale F. Sula nga Divjaka, i kthyer nga jashtë rreth dy muaj më parë, kishte qenë prej kohësh në vëzhgimin e autorëve.

Ata kishin ndjekur lëvizjet e tij dhe kishin organizuar me detaje planin e rrëmbimit.

Ngjarja ka ndodhur pranë zonës së ish-Parkut në Tiranë.

Sapo biznesmeni është larguar nga një lokal ku kishte konsumuar kafe dhe ka hyrë në një rrugicë, tre personat i janë afruar të maskuar – njëri me kapele dhe syze, ndërsa dy të tjerët me maska farmacie dhe syze.

Ata janë prezantuar si agjentë të BKH-së dhe, duke e mashtruar, e kanë detyruar të hipte në automjet.

Fillimisht, autorët i kanë kërkuar shumën prej 2 milionë eurosh.

Pas refuzimit, e kanë dhunuar fizikisht dhe kanë ulur kërkesën në 1 milion euro.

Edhe kjo shumë është kundërshtuar nga 32-vjeçari, i cili ka deklaruar se nuk disponon para të tilla. Nën presion, autorët kanë zbritur kërkesën në 500 mijë euro.

Biznesmeni është mbajtur peng gjatë gjithë natës në një magazinë në Xhafzotaj, ku është dhunuar vazhdimisht.

Të nesërmen në mëngjes, autorët e kanë liruar, duke i lënë si kusht sigurimin e shumës së kërkuar.

Menjëherë pas lirimit, ai i është drejtuar policisë dhe ka kallëzuar në detaje ngjarjen, duke çuar në identifikimin e autorëve.

Sipas hetimeve, ata janë zbuluar përmes kamerave të sigurisë në zonat ku kanë lëvizur, edhe pse gjatë gjithë kohës kanë qenë të maskuar dhe të veshur me rroba të zeza.

Burime bëjnë me dije se autorët kishin marrë informacione nga persona ende të paidentifikuar, të cilët u kishin thënë se ndërtuesi mund të mbante shuma të mëdha parash me vete.

Policia vijon punën për kapjen e personit të tretë dhe zbardhjen e plotë të rrjetit që mund të jetë përfshirë në këtë rrëmbim./Versus.al

Poll