POLITIKË /

Vendimi për pezullimin e Ballukut, Rama: Anëtarët e GJK ndahen tek rrugëzgjidhja, do ndërhyjmë në legjislacion

Pas mbledhjes me deputetët Rama shkruan se nuk ka ndonjë urgjencë për të trajtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut.

Shkruar nga Versus

Vendimi për pezullimin e Ballukut, Rama: Anëtarët e GJK ndahen

Pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori vendim për ankimin e Ramës sa i takon vendimit të GJKKO për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, kryeministri Edi Rama e ka bërë të qartë se do të ketë një ndërhyrje në legjislacion për të zgjidhur atë që e konsideron si “problem”.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin “X” ku rendit konkluzionet e mbledhjes së grupit parlamentar të PS, Rama përsërit se funksionet e qeverisë nuk mund të pezullohen nga askush sepse ky pezullim paralizon institucionin që anëtari i qeverisë drejton.

Më tej nënvizon se nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut.

Postimi i Ramës:

3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga :

1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton.

2. Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion.

3. E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit.

Një shtesë nga ana ime:

SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen. Versus.al

Poll