
Të dhëna edhe më tronditëse janë publikuar nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së martës në Fontanafredda ku u vra me tre plumba 43 vjeçari Vladimir Topjana.
Ky i fundit, sipas mediave italiane i kishte kafshuar veshin babait të autorit të ngjarjes, gjë që solli agravimin e konfliktit duke bërë që 34 vjeçari Rogert Shota të qëllonte me pistoletë Topjanën në sy të djalit të këtij të fundit.
Policia po heton për mundësinë e konflikteve të mëparshme për motive pronësie, por nuk përjashtohet mundësia e përplasjeve me prapavijë kriminale.
Njëri prej dëshmitarëve, rrëfeu dinamikën e sherrit mes shqiptarëve.
“Ata pinë diçka dhe në një moment unë isha duke punuar dhe pashë dy persona duke rrahur njërin prej tyre, hyra brenda për të kërkuar ndihmë sepse ishte një ndeshje e Juventusit. Kam dëgjuar të shtënat rreth orës 21:15, dy të shtëna”- tha dëshmitari.
Viktima banonte në katin e parë të një pallati pranë lokalit ku kishte shkuar për të parë ndeshjen. Ai ndërroi jetë në vendngjarje për shkak të të shtënave me armë zjarri. Ndërsa autori u kap më vonë nga policia së bashku me të atin Pren Shota i cili gjithashtu po hetohet nën akuzën e bashkëpunimit në vrasje. Versus.al








