AKTUALITET /

“15 kg tritol, ta shkrijmë fare”, Çopjat 4 mln euro për Alibejn! 2 skenarët ‘surrealë’ për t’i shpërthyer pallatin dhe qelinë! Polici u jepte informacion

Shkruar nga Versus
“15 kg tritol, ta shkrijmë fare”, Çopjat 4 mln euro
Franc Çopja, Erion Alibej

Banda e Çopjave, pavarësisht shumës prej 4 milionë eurosh të ofruar për vrasjen e Erion Alibejt, dështoi të realizonte dy atentate të cilat për nga planifikimi janë të denjë për skenarë filmash të cilët fatmirësisht nuk janë realizuar.  

Plani i parë për ekzekutimin e Alibejt është bërë gjatë periudhës nëntor 2019-janar 2020 ku banda e Çopjave rezulton e angazhuar për të bërë të mundur eleminimin e kundërshtarit të tyre.

Anëtari i grupit të Çopjave, Mikael Qose ka biseduar me Ervis Dakën, një person me precedentë të mëparshëm kriminalë në Elbasan, për të ekzekutuar Erion Alibej. Daka i shpreh dëshirën që të kryejë ekzekutimin dhe shprehet i gatshëm se do të bëhet kurban vetëm që kjo punë të përfundojë. Ervis Daka e pyet Mikael Qosen se nëse njeh ndonjë në pallatin e Erion Alibejt me qëllim që të ndiznin një zjarr dhe më pas ai të futej si zjarrfikës për ta ekzekutuar.

Këto mesazhe më pas i kanë dërguar Franc Çopjas nga ana e Mikael Qoses. Më datë 2 mars, Mikael Qosja ka biseduar me Besmir Haxhian (I ekzekutuar me vëllain e tij në prill të 2020-ës), për ekzekutimin e Erion Alibejt me një dron. Besmir Haxhia ia ka thënë Qoses se për këtë ngjarje do të angazhohet grupi i tij dhe se nuk duhet të angazhojnë persona të tjerë pasi mund t’i ekspozonte. Qose me datë 4 mars informon Franc Çopjan se snajperi dhe dronet do jenë gati për ekzekutimin e Alibejt. Sipas Mikael Qoses, droni do të ketë një sasi prej 15 kg tritol dhe do të shpërthejë sipër banesës së Erion Alibejt.

Këtu vërehet dëshira e bandës së Çopajve për të shkaktuar tragjedi në pallatin ku jetonte Alibej pasi i shkruan Qosja i shkruan Franc Çopjas si më poshtë “T’funit pra o plako, me e shkri komplet. Pak dëme poshtë do ketë. O plako s’janë eksperta shembjesh. 6 copë do bëhen. Ok man! Po 3 copë do plasen në të njëjtën kohë."

Në këtë fragment të dosjes, SPAK ka siguruar dyshime të arsyeshme se të hetuarit, Franc Çopja, Gajdar Bako, Mikael Qose, Altin Ndoci, Floranc Meçe si dhe persona të tjerë të paidentifikuar kanë bashkëpunuar me qëllim për të realizuar vrasjen e Erion Alibejt.

Plani për ta vrarë brenda burgut të Bradasheshit

Çështja nr.9 e zbardhur nga SPAK në dosjen që Versus.al ka siguruar është plani i grupit të Çopajve për ekzekutimin e Erion Alibejt në shtator të vitit 2020 gjatë kohës që ky i fundit mbahej i burgosur burgun e Bradasheshit në Elbasan.

Në bisedat e zhvilluara mes anëtarit të bandës, Mikael Qose dhe të burgosurit për drogë, Arzen Mama thuhet se organizata kriminale e Çopajve ofron 4 milionë euro për vrasjen e Erion Alibejt dhe se atentati do të kryhej me tritol në ambientet e burgut të Elbasanit.

Informacioni për qelinë ku ndodhej Erion Alibej u dha nga zv.drejtori i burgut të Bradasheshit, Martin Musaj i cili u arrestua në korrik të këtij viti gjatë operacionit të SPAK ‘Plumbi i Artë 2’ pas zbardhjes së veprimtarive kriminale të bandës së Çopajve në Elbasan. Asokohe, Musaj ka qenë punonjës i policisë së burgut.

Mikael Qose e pyet Arzen Mamën nëse zv.drejtori i burgit të Bradasheshit ka besim te ndonjë person që të vendosë tritolin në qelinë e Erjon Alibejt dhe se shifrën që kërkonte mund ta caktonte vetë nga 3 deri në 4 milionë euro.

Arzen Mama i tregon Qoses se kamerat që monitorjnë pjesën e jashtme të burgut të Bradasheshit, janë jashtë funksionit dhe se zv.drejtori Martin Musaj mund ta dijë se tek cila dhomë ndodhet Erion Alibej. Më tej, zbulohet se plani është që dikush të hypë nga mbrapa shkallëve të burgut dhe t’i tregojë personit se ku do ta vendosë tritolin. Arzen Mama i tregon Qoses më tej se nga mbrapa burgut nuk ka kamera dhe del direkt tek qelia dhe se për këtë plan po komunikon çdo ditë me zv.drejtorin e burgut, Martin Musajn.

Ky i fundit, i ka treguar ambientet e brendshme të burgut. Sipas Arzen Mamës, për vrasjen e Erion Alibejt, mund të vendosen 100 gramë tritol tek muri i qelisë ku ai qëndron, ndërsa Qose i propozon qëtë vendoset sasia prej 5 kg tritol. Mama e refuzon duke thënë se një sasi e tillë është shumë e madhe dhe mund të vriten shumë policë gjatë shpërthimit.

Në dosje thuhet se gjatë bisedave në “Sky ecc”, zv.drejtori i burgut, Martin Musaj i ka thënë Arzen Mamës se kjo ishte një punë e thjeshtë dhe se duhej që Alibej të arrestohet vetëm pasi të siguroheshin se kjo gjë bëhej. Sipas trafkantit Arzen Mama, janë të gjitha mundësitë për të realizuar planin duke përmendur faktin që kishin zv.drejtorin e burgut si dhe personin që do i dërgonte ushqimin Erion Alibejt në qeli.

Më datë 18 shtator të 2020-ës, trafikanti Arzen Mama ka informuar Mikael Qosen se Erion Alibej ishte arrestuar dhe se ndodhej në kat të tretë, vëshur me bluzë të zezë dhe i dobësuar shumë. Më tej ai i thotë Qoses se polici Martin Musaj nuk mund të ndërhynte dot për të parë kamerat në atë moment pasi është e shtuna dhe e diela pushim.

Në vazhdim të bisedës, i dënuari Arzen Mama i tregon Mikael Qoses se do takohet sërishe me policin Martin Musaj me të cilin do të diskutonte sesi do e vendosnin tritolin në qelinë e Erion Alibejt. Qose  i kërkon të vendoset që atë natë pasi çdo gjë ishte gati.

I dënuari Arzen Mama i thotë Mikael Qoses se polici Martin Musaj nuk po e gjen dot qelinë ku po qëndron Erion Alibej pasi brenda janë 4 veta dhe nuk kanë dijeni nëse janë bashkë apo të veçuar. Mikael Qose pyet Arzen Mamën nëse personi që i dërgon ushqim ta mund ta dijë dhomën e Alibejt. Më pas në një tjetër ditë, Qose e pyet sërish të dënuarit nëse ka informacion për dhomën ku mbahej Alibej. Mama i përgjigjet negativisht, duke thënë se nuk ka informacion.

Në dosjen e SPAK, thuhet se grupi i Çopajve ka patur akses në kamerat e brendshme të burgut të Bradasheshit, falë zv.drejtorit Martin Musaj, asokohe efektiv i policisë së burgjeve. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: