
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, ka shpallur sot një tenderi gjigant për shërbimin e ruajtjes fizike të ambienteve të saj në Tiranë, në një kohë kur institucioni është në qendër të vëmendjes pas lajmit për zhdukjen e ish-nëndrejtorit Daniel Shima.
Sipas dokumenteve të konsultuara nga Skyweb.al objekti i kontratës është sigurimi me roje private në 16 vendroje, për një periudhë dyvjeçare.
Fondi limit i shpallur është rreth 3 milionë euro me TVSH, me kursin aktual të këmbimit.
Llogaritjet tregojnë se për gjithë periudhën 24-mujore, një vendroje do të kushtojë mesatarisht 17.8 milionë lekë, ndërsa pagesa mujore për çdo roje arrin në rreth 741 mijë lekë.
AKSHI prej kohësh njihet për shpenzimet e mëdha në fushën e teknologjisë së informacionit, si dhe për praktikat ku kompani të caktuara kanë përfituar në mënyrë preferenciale tenderë publikë. Ky shpenzim i fundit, në dukje tepër i lartë vetëm për ruajtjen e objektit, duket se vijon të njëjtën linjë të shpenzimeve që kanë karakterizuar institucionin ndër vite.
Tenderi është shpallur vetëm pak ditë pas lajmit për zhdukjen për 10 orë të ish-nëndrejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima.
Ai u gjet më pas, ndërsa mediat raportuan se kishte deklaruar largimin me dëshirë. Megjithatë, nuk munguan spekulimet për arsyet e vërteta të zhdukjes, përfshirë raportimet mbi “vizita” në Shijak dhe Borsh./Skyweb.al







