Këshilli Bashkiak i Durrësit ka aprovuar planin e ri për ndarjen e hapësirës bregdetare, duke rezervuar 30% të vijës bregdetare për plazhe publike, ndërsa pjesa tjetër do t’u jepet përdorim privat operatorëve turistikë dhe subjekteve të licencuara.
Praktikisht, nga çdo 1000 metra vijë plazhi, 300 metra do të jenë të hapura për publikun, ndërsa 700 metra do të menaxhohen nga privatët.
Nënkryetari i bashkisë, Renis Mullaj, shpjegoi se nuk ekziston një studim zyrtar i vizibilitetit, por propozimi bazohet në kriteret e përcaktuara për ndarjen e hapësirës. Sipas tij, për çdo 1000 metra, 700 do t’i dedikohen plazhit privat dhe 300 plazhit publik.
Nga ana tjetër, Ervis Mullaj theksoi se bashkia nuk përcakton përfituesit, por vetëm propozon, ndërsa vendimet përfundimtare i marrin organet kompetente. Dritan Burgija shtoi se bashkia është përgjegjëse për dhënien e parcelave dhe se duhet të përjashtohen zona të caktuara të pabanuara që përdoren si plazhe.
Harta e re u miratua me 35 vota pro në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku u zhvilluan edhe debate mbi ndryshimet në listat e përfituesve të programit të rindërtimit për disa pallate dhe banesa individuale. Opozita akuzoi mungesë transparence dhe ngriti shqetësime lidhur me përjashtimin e qytetarëve nga e drejta e pronës dhe procesi i rindërtimit.
Një tjetër çështje që nxiti reagime ishte subvencionimi i transportit publik. Dy operatorë të shërbimit do të marrin mbështetje financiare prej rreth 4 milion lekësh nga bashkia, për të mbuluar kostot dhe për të ruajtur çmimin e biletës në nivelin e 40 lekëve, me qëllim lehtësimin e barrës financiare për qytetarët./Versus.al







