Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me atentatin me tritol që tronditi Sarandën mbrëmjen e kaluar, ku humbi jetën 58-vjeçari Isuf Jaçaj.
Burime nga grupi hetimor konfirmojnë se në atentat është përdorur një sasi e konsiderueshme prej 800 gramësh tritol, e mjaftueshme për të shkaktuar një shpërthim të fuqishëm me pasoja fatale. Lënda plasëse ishte vendosur në automjetin e viktimës dhe dyshohet se u aktivizua në mënyrë të telekomanduar.
Jaçaj, i cili mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi, nuk arriti t’i mbijetonte dëmtimeve dhe ndërroi jetë në spital pak orë më vonë.
Ai ishte babai i Klaus Jaçajt, 31-vjeçarit që ndodhet aktualisht në burg, i arrestuar për një plagosje të dyfishtë më 17 korrik, ngjarje që po hetohet në një pistë të lidhur edhe me motivin e atentatit.
Policia ka shoqëruar mbi 10 persona për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen, ndërsa kontrollet janë shtrirë edhe në Tiranë, për të verifikuar lëvizjet dhe kontaktet e mundshme të viktimës dhe të afërmve të tij.
Sipas burimeve paraprake, dy persona dyshohet se kanë marrë pjesë në organizimin dhe ekzekutimin e atentatit. Policia po punon për identifikimin e tyre, ndërsa janë marrë në pyetje edhe banorë të lagjes nr. 3 në Sarandë, ku banonte Jaçaj.
Hetimet po drejtohen në disa pista, përfshirë edhe atë të hakmarrjes ose lidhjeve të së kaluarës kriminale të djalit të viktimës. / VERSUS /







