Konfidustria ka reaguar pas publikimit të lajmit për transportin e 800 ton mbetjeve të rrezikshme drejt Tajlandës, duke e cilësuar këtë një skandal që cënon imazhin e shtetit dhe ekonomisë shqiptare.
Duke ripërsëritur kërkesën drejtuar kryeministrit Edi Rama për krijimin e ministrisë së Mjedisit të shkëputur nga Turizmi, Konfindustria e ka cilësuar skandalin e mbetjeve si goditjen më të fortë që turizmi shqiptar ka marrë deri më tani për shkak të mungesës së plotë të kontrollit nga ana e institucioneve.
“Konfindustria, duke marrë shkak nga skandali i ndërkombëtar i eksportit të mbetjeve me cënim të rëndë të ekonomisë dhe imazhit të shtetit shqiptar, ripërsërit kërkesën drejtuar kryeministrit Rama për krijimin sa më të shpejtë të Ministrisë së Mjedisit të shkëputur nga Turizmi. Konfindustria vlerëson, se skandali i eksportit të mbetjeve të rrezikshme metalurgjike nga Porti i Durrësit është goditja më e fortë me pasoja në afatgjatë, që sektori i turizmit shqiptar ka marrë deri tani. Mungesa e plotë e oponencës institucionale në dhënien dhe kontrollin e licensimit të transportit të mbetjeve, vjen edhe si pasojë e të qenit brenda një portofoli ministror të turizmit dhe mjedisit me përplasje të qartë interesi”- thuhet në një pjesë të reagimi.
Më tej theksohet se në këtë rast kemi të bëjmë me rënien e plotë të zinxhirit të institucioneve apo inspektoriatit mjedisor dhe doganor duke shfaqur korrupsionin shtetëror. Konfindustria ka kërkuar nga SPAK që të hetojë për rastin dhe të nxjerrë para ligjit përgjegjësit.
“Konfindustria shpreh shqetësimin e thellë për rënien e plotë të gjithë zinxhirit institucional dhe agjensive të licensimit, kontrollit, inspektimit mjedisor dhe doganor me shfaqje të qartë të korrupsionit shtetëror. Gjithashtu, rasti i skandalit të fundit të eksportit të mbetjeve të rrezikshme industriale nga Porti i Durrësit drejt vendeve të treta tregon pamundësinë objektive të kontrollit të institucioneve shtetërore për importet e mbetjeve në vend. Konfindustria i kërkon institucioneve të ekzekutivit, Kuvendit të Shqipërisë dhe drejtësisë përfshi SPAK të nxjerrin gjithë përgjegjësitë vetjake, institucionale dhe ligjore, që kanë krijuar kushtet për skandalin e fundit ndërkombëtar të mbetjeve industriale, duke përdorur territorin shqiptar dhe cënuar rëndë interesat kombëtare”- përfundon reagimi.
Mbetjet e rrezikshme të nisura nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës mbi të cilat po hetojnë autoritet shqiptare së bashku me institucionin e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve (OLAF) dyshohet se i përkasin kompanisë Kurum. Kjo e fundit pezulloi aktivitetin e saj dhe shkarkoi nga puna 500 punonjës, ndërsa dje prokuroria e Durrësit sekuestroi të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për hetimin e rastit. Versus.al








