
Ish-nëndrejtori i Agjencisë Kombëtare të Informacionit, Daniel Shima, i cili u “zhduk” disa ditë në verën e vitit 2025, ka krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave, para të cilat dyshohet se kanë si burim tenderat e AKSHI-t.
Vox News ka raportuar në vijimësi për një mori kompanish të të afërmve të Shimës, nga kushëriri, nëna rrobaqepëse, shokët apo të njohur të tjerë.
Dyshimet janë se, nëpërmjet këtij rrjeti, miliona euro janë kanalizuar në firma ndërtimi, prona, apartamente, leje ndërtimi apo edhe në ndërtime pallatesh. Madje janë ndërtuar hotele, janë krijuar edhe kompani lavazhi, apo edhe kompani konsulence në IT, fushë në të cilën vepron vetë 34-vjeçari.
Ndërkohë, në këto radhë do të ndalemi te një tjetër pronë e majme e të afërmve të tij, kushëririt të parë, Marin Shpatës, i cili nga hiçi krijoi disa kompani lavazhesh dhe në vitin 2023, në kulmin e punëve të AKSHI-t, hapi një restorant luksoz në zonën e Lundrës, Farkë.

Në muajin tetor të vitit 2023 kompania E – Lava, me pronar Marin Shpatës, ka hapur një tjetër biznes të quajtur “Magus Tirana”. Restoranti është hapur në Farkë, në Lundër, në rrugën “Rezervat e Shtetit”. Bëhet fjalë për një pronë tepër luksoze, në një nga zonat më elitare në Tiranë, ku janë ndërtuar vila për më të pasurit.
Duket se, Shpata dhe Shima janë futur nën këtë ombrellë dhe kanë arritur të hapin me shpejtësi këtë biznes.
Shoqëria ka pasur si objekt veprimtarie restorant, bar, delivery, import – eksport dhe tregtimin e produkteve ushqimore me shumicë. Madje, edhe për organizim eventesh për më të pasurit e Shqipërisë.
Kapitali fillestar i shoqërisë tregtare ja qenë i barabartë me lekë 200 mijë lekë dhe do të përbehet nga kuotat e ortakut themelues të shoqërisë.
Vox News ka mësuar se në pranverën e vitit 2025, Marin Shpata, ka shitur kompaninë “Magus Tirana”.
“Depozitimi i vendimit dhe kontratës së shitjes, datë 16.04.2025 me anë të së cilës vërtetohet transferimi i 100 % të kuotave të shoqërisë nga ortaku ‘e-LAVA’ në favor të ‘GREEN on REPEAT’”, thuhet në kontratë.
Në të njëjtin dokument citohet se, vlera e shitjes së këtij biznesi që xhironte qindra mijëra euro, është për vetëm 200 mijë lekë. Ka dyshime se një gjë e tillë është realizuar për të humbur gjurmët e parave, teksa si ka mundësi që në një vend tepër elitar, në një nga zonat më luksoze në Tiranë, një biznes shitet sa një telefon?!
Restoranti ka qenë i vendosur në një ambient që vlen mbi 500 mijë euro, ndërkohë që vetëm investimi në atë lokal mund të kap shifrën e 500 mijë eurove të tjera. Është arreduar në mënyrë luksoze, ka pasur një “pasuri” të tërë brenda, dhe sërish shitet për 200 mijë lekë?

Vox News ka denoncuar në vijimësi një seri investigimesh sesi Daniel Shima, apo edhe personazhe të tjerë nga dosja AKSHI, janë pasuruar në kurriz të taksapaguesve shqiptarë. Rasti në fjalë është dëshmi e qartë se si një biznes u themelua, u ngrit dhe po vijon aktivitetin.
Ndërkohë, në këto ditë, sapo redaksia jonë denoncoi pasuritë e Shimës, biznesi në fjalë është “fshirë” nga rrjetet sociale. Mësohet se, “Magus Tirana” në zonën e Lundrës, Farkë, ka pasur një faqe në Instagram me mijëra ndjekës.
Ndërkohë, nëse do të kërkojmë këto ditë, që po përkojnë me investigimet e Daniel Shimës faqja është “zhdukur”. Megjithatë në internet ka të tjera foto, ku duket biznesi në fjalë është tepër luksoz dhe i kuruar mjaft mirë.
Duket se Danieli jo vetëm që ka futur gishtin në tenderat e AKSHI-t, por ai është lyer i gjithi. Mjafton që Prokuroria e Posaçme të gjurmojë këto emra, Meritën, Redvinin apo edhe Sokolin dhe do të shohë çudira.
Si disa njerëz anonimë, me të ardhura minimale, papritmas u bënë biznesmenë të mëdhenj, duke qarkulluar dhe blerë prona miliona euro.
Pas largimit nga posti i nëndrejtorit të AKSHI-t, Danieli vendosi që të dalë hapur, duke themeluar kompaninë “Digital Euphoria”, një kompani që merrej me konsulencë dhe marketing. Një fushë e gjerë ku mund të pastrosh në mënyrën më të lehtë para të pista.
Vox News ka mësuar se në vitin 2023, në kulmin e karrierës së Daniel Shimës, kushëriri i tij i parë, Marin Shpata, hapi kompaninë “E-Lava”, e cila kishte disa pika lavazhesh, një biznes që i kalonte shifrën e 500 mijë eurosh.
Çfarë e lidh “E–Lava”-n me Daniel Shimën?
Në dukje, ish-nëndrejtori mund të justifikohet se s’mban përgjegjësi se çfarë pune apo biznesi ka djali i dajës. Po kur Danieli dhe Marini kanë të njëjtën adresë, a kanë lidhje?!
Danieli i është futur “me kokë” letrave pasi la detyrën shtetërore, pasi ai themeloi me shpejtësi një tjetër firmë, të quajtur “Blitz Facility Management”.
Kjo firmë kishte si “pronar” kompaninë e parë të Danielit “Digital Euphoria”. Këtu bëhet lidhja mes Marinit dhe Danielit, pasi si “E-Lava” dhe “Blitz” kanë të njëjtën adresë të deklaruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit; Rruga e Kavajës, Garden Building, kulla 24, kati 6, apartamenti 2A./Voxnews



