
Policia e Vlorës, Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe Policia e Korçës kanë ndërmarrë sot një aksion të befasishëm, duke arrestuar Ramadan Zoton, i njohur edhe si Ramadan Canaj, 43 vjeç, i dyshuar për plagosjen me armë të Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamajt më 17 korrik në lagjen nr. 3 të Sarandës.
Zoto u lokalizua në zonën e Korçës teksa lëvizte me një automjet “Audi”, ndërsa ndërhyrja u realizua në mënyrë të koordinuar nga tre sektorët e policisë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar disa armë zjarri, ndërsa disa persona të tjerë janë shoqëruar dhe po merren në pyetje.
Ngjarja në Sarandë kishte origjinën nga një konflikt për një sipërfaqe toke mes dy vëllezërve Canaj dhe dy të plagosurve, të cilët pretendonin se pjesa e tokës u ishte zënë padrejtësisht.
Për të sqaruar situatën, palët u takuan më 17 korrik, por përplasja u tensionua deri në përdorimin e armëve.
Më 20 korrik, Policia e Sarandës arrestoi një tjetër të dyshuar për të njëjtin rast, Artan Murtaj, 43 vjeç, ndërsa në kërkim për plagosjen e dyfishtë ishin shpallur edhe Erjon Canaj, 36 vjeç, dhe Klaus Jaçaj, 31 vjeç./Versus.al