Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar shpalljen fajtor të kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi nën akuzën e shpifjes ndaj ish-kreut të policisë së Shkodrës, Edmond Sula.
Muaj më parë Bardhi lexoi në Kuvend përgjime ku sipas tij tregohej se bandat kishin ndikuar për emërimin e Sulajt në detyrë, ndërsa i menjëhershëm ishte reagimi i këtij të fundit i cili hodhi poshtë akuzat e demokratit me anë të datës së emërimit të tij dhe të përgjimeve të pretenduara.
Në seancën që po mbahet sot në Gjykatën e Posaçme, avokatët e Bardhit janë përpjekur të arsyetojnë deklaratën e tij duke thënë se nuk bëhet fjalë për çështje personale dhe se ato janë thënë në kontekstin politik.
Gjyqtarja Flojera Davidhi është tërhequr në dhomë këshillimi për të marrë vendim lidhur me kërkesën e prokurorëve të posaçëm. Ndërsa më herët, ka dështuar seanca për pajtim mes palëve me Sulajn i cili është shprehur haptas që kërkon vetëm dënimin e Bardhit.
Deklaratat që sollën “sagën” gjyqësore u bënë muaj më parë gjatë një interpelance që Bardhi kishte thirrur me kryeministrin Edi Rama për mbetjet toksike që mbërritën në portin e Durrësit. Kreu i grupit parlamentar lexoi përgjimet ku sipas tij shfaqeshin personazhe të krimit të cilët shpreheshin se donin Sulën në krye të policisë për disa kohë. Por më pas rezultoi se data e përgjimeve nuk përputhej me atë të emërimit të Edmond Sulës në krye të policisë së Shkodrës. Versus.al








