
Anija e Marinës Ushtarake "Libra" u nis pak pas orës 9 të mëngjesit nga Brindisi me 40 migrantë në bord drejt kampit të Gjadrit ku do të qëndrojnë deri në zbardhjen e urdhrit të dëbimit dhe pranimit të shteteve të tyre për riatdhesim.
Bëhet fjalë për shtetas të kombësive të ndryshme të cilët ditët e fundit kanë mbërritur në Qendrën e Paraburgimit të Riatdhesimi në Brindisi për të cilët qeveria italiane ka vendosur që të tansferohen në kampin e ngritur në Shqipëri.
Vendimi erdhi pas dekretit të datës 28 mars që e ktheu kampin e Gjadrit në një CPR (Qendër Paraburgimi për Riatdhesimin). Emigrantët e paligjshëm të kapur në det për të cilët prefekti ka lëshuar urdhër dëbimi, do të transferohen në Gjadër ku do të kenë afat qëndrimi deri në 18 muaj.
Ishte planifikuar që emigrantët të mbërrinin gjatë ditës së djeshme në dy anije të ndara, por për arsye të paqarta, udhëtimi u shty. Sot vetëm një anije do të bëjë të mundur transportimin e tyre në Portin e Shëngjinit, nga ku më pas do të dërgohen në kampin e Gjadrit. Versus.al








