AKTUALITET /

Ankimi për shkarkimin nga detyra/ Gjykata Kushtetuese kërkon praninë e Veliajt: Kemi njoftuar SPAK dhe Burgjet!

Në njoftimin e ndarë për mediat, Kushtetuesja sqaron se më 9 tetor i është dërguar Veliajt një shkresë në qeli, ku pyetej nëse dëshiron të marrë pjesë në seancë.

Shkruar nga Versus
Ankimi për shkarkimin nga detyra/ Gjykata Kushtetuese kërkon
Erion Veliaj

Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, të jetë i pranishëm në seancën publike të premten, ku do të shqyrtohet ankimi i tij ndaj vendimit të qeverisë për shkarkimin nga detyra. Sipas gjykatës, Veliaj ka shprehur vullnetin për të marrë pjesë personalisht.

Në njoftimin e ndarë për mediat, Kushtetuesja sqaron se më 9 tetor i është dërguar Veliajt një shkresë në qeli, ku pyetej nëse dëshiron të marrë pjesë në seancë. Më 13 tetor, Gjykata ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për datën dhe orën e seancës, si dhe për masat e nevojshme për shoqërimin e Veliajt në rast se ai do të dëshironte të jetë prezent.

Pas konfirmimit nga Veliaj, Gjykata ka njoftuar edhe SPAK për vijimin e procedurës.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese: 

Gjykata Kushtetuese, bazuar në nenet 21, pika 1 dhe 38, pikat 1 dhe 2  të ligjit nr. 8577, të ndryshuar, me shkresën nr. 28 (E) 2025 Regj.Them, datë 09.10.2025, ka njoftuar kërkuesin Erion Veliaj për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike në 31.10.2025.

Gjithashtu, ju informojmë se Gjykata Kushtetuese me shkresën nr. 28 (E) 2025 Regj.Them, datë 13.10.2025, ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve duke e vënë në dijeni për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike, si dhe marrjen e masave për shoqërimin  e zotit Erion Veliaj në seancën plenare publike në rast se do të shprehej vullneti për marrjen pjesë personalisht në gjykim.

Në vijim, në datën 20.10.2025, pas shprehjes së vullnetit të kërkuesit, Gjykata ka njoftuar edhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në lidhje me sa më sipër.

Në shtator të këtij Erion Veliaj kundërshtoi në Gjykatën Kushtetuese shkarkimin e tij nga detyra si kryebashkiaku i Tiranës.

Në shkresën e dërguar në Gjykatën Kushtetuese Veliaj pretendon se vendimi i Komisionit të Posaçëm të Kuvendit dhe më pas dekretimi nga Presidenti i Republikës, për shkarkim e tij janë marrë në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe procesin e rregullt ligjor./Versus.al

 

Poll