Avokati i ish-kryeministrit Hashim Thaçit, Luka Mishetiç tha se nuk ka asnjë provë që ai ka pasur rol në kryerjen e krimeve apo ka transmetuar “qëllimin e përbashkët kriminal” të të akuzuarve, apo të ketë pasur rol në hartimin dhe shpërndarjen e komunikatave të UÇK-së.
“Mbrojtja e di që ju do e bëni punën tuaj i nderuar gjykatës, dhe ju do të pranoni konsensusin, pra provat që kemi ju kanë përshkruar juve. Në fakt është Prokuroria ajo që nuk dëshiron që ju të bëni punën tuaj. Ata duan që ju të bëni punën e atyre, ata duan që ju të gjeni prova që ata nuk arrinin të gjenin. Por siç e thashë të hënën, barra e provës bie mbi ZPS-në dhe vetëm mbi ZPS-në, dhe ata dështuan për këtë”, tha ai.
Sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar bëri “mëkat të madh”, pasi sipas tij, premtoi shumë, por nuk i mbështeti pretendimet me prova.
“Ata kanë premtuar fishekzjarrë, spektakël, por nuk kanë paraqitur asgjë”, tha avokati.
Luka Mishetiç ka akuzuar Prokurorinë e Specializuar se ka fshehur provat deri në dosjen përfundimtare, pasi sipas tij, e ka ditur që mbrojtja do ta sulmonte dhe do t’i hidhte poshtë këto dëshmi.
Ai theksoi se Prokuroria po ndryshon paraqitjen e provave në kundërpërgjigjet e tyre. Mishetiç përmendi edhe dëshminë e Bislim Zyrapit, duke theksuar se ai nuk ishte dëshmitar i besueshëm.
“Të mërkurën i kërkuam Prokurorisë të na shpjegonte se si arriti në këtë përfundim, kur Zyrapi ishte i pranishëm në takimet e UÇK-së dhe Zyrapi nuk ishte anëtar i NPK-së. Ne nuk morëm asnjë përgjigje, dhe arsyeja për këtë është se Prokuroria nuk ka asnjë përgjigje. Për ne kjo nuk ka kuptim”, tha Mishetiç.

