AKTUALITET /

“Babi, ti je përgjithmonë", mesazhi prekës i djalit të Grida Dumës pas humbjes të së atit

Darien flet për ndikimin thelbësor të babait në formimin e tij si njeri, për shembullin që ai përfaqësonte – një burrë me integritet, përkushtim për shërbimin publik dhe dashuri të palëkundur për Shqipërinë, të cilën e përfaqësoi në skenën ndërkombëtare me nder.

Shkruar nga Versus

“Babi, ti je përgjithmonë", mesazhi prekës i djalit

Pak ditë pas ndarjes nga jeta të diplomatit të njohur shqiptar Ilir Shqina, djali i tij Darien Shqina ka ndarë me publikun një mesazh prekës, të mbushur me dhimbje, dashuri dhe krenari për figurën e të atit – një njeri që ai e përshkruan si “madhështor”.

“Kanë kaluar disa ditë që nga ndërrimi nga jeta e babait tim madhështor…”, shkruan Darien në rrjetet sociale, ndërsa në rreshta të ngjeshur me ndjenjë, rrëfen boshllëkun e madh që ka lënë pas kjo humbje.

Mes fjalëve të tij rrjedh një respekt i thellë për trashëgiminë shpirtërore dhe njerëzore që Ilir Shqina i ka lënë: mësime për drejtësinë, karakterin dhe dinjitetin, edhe në kohë sfidash e padrejtësish.

“Ndjej thellë boshllëkun e humbjes tënde fizike, por ti qëndron me mua dhe je mbrojtësi im”, shkruan ai, duke e kujtuar të atin jo vetëm si figurë prindërore, por edhe si udhëheqës moral.

Darien flet për ndikimin thelbësor të babait në formimin e tij si njeri, për shembullin që ai përfaqësonte – një burrë me integritet, përkushtim për shërbimin publik dhe dashuri të palëkundur për Shqipërinë, të cilën e përfaqësoi në skenën ndërkombëtare me nder.

Ilir Shqina, një nga emrat e njohur të diplomacisë shqiptare, ndërroi jetë papritur katër ditë më parë. Ai la pas jo vetëm një boshllëk të thellë për familjen e tij, por edhe për shumë kolegë dhe bashkëpunëtorë në shërbimin diplomatik dhe akademik, ku kishte dhënë një kontribut të çmuar si pedagog dhe përfaqësues institucional.

Ish-bashkëshorti i deputetes Grida Duma, Shqina ishte njohur për qetësinë, profesionalizmin dhe qëndrueshmërinë në parime, tipare që i përcolli edhe në rritjen e birit të tij – i cili sot, përmes fjalëve të dhimbshme por krenare, i jep zë një ndarjeje që është shumë më tepër se fizike.

“Babi, ti je përgjithmonë.” /Versus.al/

Poll