AKTUALITET /

Banorët e Rrjollit dhe të prekurit nga projekti TID protestojnë sot para Kuvendit

Banorët e Rrjollit të Velipojës dhe qytetarët e prekur nga projekti TID në Durrës do të protestojnë sot para Kuvendit për të kërkuar drejtësi lidhur me pronat e tyre. Ata shprehin pakënaqësi ndaj shpronësimeve dhe ndërtimit të resortit në zonat e tyre, duke kërkuar verifikimin e dokumenteve dhe zgjidhje ligjore.

Shkruar nga Versus

Banorët e Rrjollit dhe të prekurit nga projekti TID protestojnë

Sot, ndërkohë që Kuvendi pritet të mblidhet në seancë plenare, jashtë godinës është paralajmëruar një protestë qytetare.

Banorë të Rrjollit të Velipojës dhe qytetarë të prekur nga projekti TID në Durrës do të mblidhen rreth orës 9:00 për të shprehur pakënaqësitë e tyre për shpronësimet dhe pretendimet mbi pronat e tyre.

Projekti TID, pjesë e rijetëzimit të bulevardit historik “Epidamn” në Durrës – i cili lidhet me portin dhe u ndërtua pas tërmetit të vitit 1926 – po realizohet në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Durrësit.

Megjithatë, banorët kanë shprehur shqetësime për prekjen e dhjetra pronave private, të cilat sipas tyre po shpronësohen me vlera më të ulëta se çmimi i tregut.

Në Rrjoll, banorët vijojnë të kundërshtojnë ndërtimin e resortit të Bashkim Ulajt, duke pretenduar se u janë grabitur pronat. Ata kanë depozituar kërkesa zyrtare pranë Prokurorisë për verifikimin e dokumenteve të pronësisë dhe për gjetjen e një zgjidhjeje ligjore.

“Larg hajdutët! Tokat tona nuk i dorëzojmë! Duam drejtësi! Ku është ai njeri që s’vjen të përballet me ne?”, janë disa nga thirrjet që banorët kanë bërë në protestat e mëparshme./ Versus.al

 

Poll