
Gjykata e Apelit Tiranë ka rrëzuar ankesën e Arben Isufajt, i njohur ndryshe si "Ben Qimja", duke lënë në fuqi masën e arrestit me burg dhe statusin e tij si person në kërkim. Vendimi e mban të hapur çështjen ndaj një prej figurave më të errëta të Fierit, i njohur për precedentë të shumtë penalë dhe lidhje të forta me botën e krimit, bëjnë me dije burime nga Ora News.
Arresti ndaj Isufajt u caktua nga Gjykata e Fierit në shkurt të 2025-s, pas nisjes së një hetimi për “Kanosje të gjyqtarit” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”. Ai nuk u vu në pranga, pasi u zhduk menjëherë pas urdhrit të arrestit. Në mungesë, përmes avokatëve, ai tentoi të përmbyste vendimin në Apel, por pa sukses.
Sipas dosjes hetimore, Isufaj dyshohet se ka kërcënuar për jetë gjyqtarin Vladimir Cjapi dhe djalin e tij, përmes një noteri që u bë denoncuesi kryesor në çështje. Ironikisht, Cjapi dhe Isufaj kanë pasur një marrëdhënie të hershme miqësore – gjyqtari në fjalë ka qenë më parë avokat i familjes Isufaj në disa çështje gjyqësore.
Pas kallëzimit, prokuroria ka autorizuar një kontroll në banesën e Isufajt, ku është sekuestruar një armë zjarri pa leje. Ndërkohë, gjyqtari Cjapi dhe noteri denoncues janë marrë nën mbrojtje nga Policia e Shtetit.
Gjyqtari Cjapi ka aktualisht në dorë një dosje të ndjeshme që përfshin tre persona, mes tyre edhe Pëllumb Yzeiraj, të dyshuar për vrasjen e Julian Isufajt në vitin 1997 – xhaxhai i Arben Isufajt. Kjo lidhje pritet të zbardhë më tej motivet e kanosjes.
Ndaj Arben Isufajt rëndojnë edhe hije të tjera nga e kaluara. Ai ka qenë më herët i dyshuar për vrasjen e Demir Backës, por pa përfunduar në akuza. Ndërkohë, ka kaluar në sitën e drejtësisë italiane për trafik ndërkombëtar droge dhe dyshohet për përfshirje në vrasjen e Pirro Koçiut në Tiranë – por sërish ka shpëtuar pa pasoja të rënda ligjore. Versus.al







