
Një banesë në lagjen nr. 5 të qytetit të Memaliajit është përfshirë nga zjarri.
Ngjarja ka ndodhur në banesën e Aristidh Laska, i cili prej vitesh jetonte i vetëm.
Dyshohet se zjarri ka nisur pas shpërthimit të bombolës së gatimit, duke përfshirë tendën e ballkonit dhe disa orendi shtëpiake. Në momentin e ngjarjes, Laska nuk ndodhej në banesë.
Raportohet se ai kishte vendosur ushqimin për gatim dhe është larguar për pak kohë nga shtëpia, ndërsa rrethanat mbeten ende nën verifikim.
Ishin komshinjtë ata që vunë re tym të dendur që dilte nga ballkoni, njoftuan menjëherë shërbimin zjarrfikës, i cili mbërriti në vendngjarje brenda pak minutash dhe bëri të mundur shuarjen e flakëve, duke shmangur përhapjen e zjarrit në banesat përreth.
Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, ndërsa grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet e sakta të zjarrit.
