AKTUALITET /

Detaje nga ekzekutimi i Klaudio Prendit, “Audi” i vrasësve ishte vjedhur në Tiranë

Mjeti ka qenë i parkuar pranë Liqenit Artificial kur u vodh një vit më parë.

Shkruar nga Versus

Detaje nga ekzekutimi i Klaudio Prendit, “Audi” i vrasësve

Automjeti tip “Audi A4” që u përdor nga autorët e vrasjes së Klaudio Prendit pas mesnatës së 18 nëntorit në zonën e Xhamllikut, rezulton të jetë vjedhur në kryeqytet rreth një vit më parë. 

Në videon që Versus.al siguroi, mjeti me portobagazh shihej teksa afrohej tek makina “G-Class” e Klaudio Prendit, sapo i riu hipi në timon. Për pak sekonda kanë kryer atentatin dhe më pas janë larguar me shpejtësi.

Dyshohet se autorët kanë qenë 3 persona, ndërsa një person i katërt i ka marrë me makinë pranë liqenit të Farkës ku vrasësit i vunë flakën mjetit që kishin vjedhur një vit më parë. Pas kontrolleve në makinë u gjet edhe arma e zjarrit pistoletë me silenciator nga e cila u qëlluan 6 plumba.

Detajet e publikuara ditën e djeshme, bëjnë me dije se viktima nuk kishte shumë kohë që ishte kthyer nga jashtë shtetit dhe se disa ditë më parë ishte konfliktuar me disa persona për një borxh prej 15 mijë eurosh që u kishte. Babai i tij, ish-gjyqtari Fran Prendi ka deklaruar në polici se ishte në dijeni të konfliktit të të birit, por nuk e çonte ndërmend se mund t’i bëhej atentat.

Ndërsa shokët të cilët e shoqëronin në lokal, efektivë policie kanë deklaruar se nuk kishin asnjë dijeni për ngjarjen dhe se e kishin shoqëruar për në spital menjëherë pasi kishin parë se ishte qëlluar me armë zjarri nga mjeti tip “Audi”. Versus.al

Poll