
Dalin detaje të reja pas operacionit që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka finalizuar dje kundër mashtrimit kompjuterik, duke çmontuar një grup të strukturuar kriminal që vepronte përmes Qendrave të Thirrjeve (Call Center) në Tiranë dhe mashtronte shtetas italianë dhe europianë për investime në kriptomonedha.
Procedimi penal nr. 03/2026 u regjistrua më 9 janar 2026, pas dorëzimit të materialeve hetimore nga gazetarët e emisionit investigativ italian “Le Iene” (Mediaset), të cilët kishin dokumentuar aktivitetin kriminal përmes infiltrimit të një shtetasi italian në Call Center.
Call Center në qendër të Tiranës, mashtrime ndërkombëtare
Hetimet zbuluan një Qendër Thirrjesh në ndërtesën “Atti Tower”, në rrugën “Ibrahim Rugova”, përballë Katedrales Ortodokse, e shtrirë në katin e 9-të dhe të 13-të, ku operohej në mënyrë të organizuar në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane.
Sipas SPAK, personat e përfshirë përdornin platforma mashtruese online, duke bindur viktimat të investonin në kriptomonedha, ndërsa paratë përfundonin në portofole virtuale të kontrolluara nga organizatorët.
Tentativë për fshehje provash dhe kapje në flagrancë
Nga hetimet rezultoi se grupi kishte ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, me kamera dhe personel civil vëzhgimi. Më 15 janar 2026, dyshohet se organizatorët u paralajmëruan për një ndërhyrje të mundshme dhe, gjatë natës, u boshatis Call Center-i, duke u larguar pajisjet dhe dokumentet.
Falë veprimeve të shpejta të BKH-së, u identifikuan automjetet dhe personat që po transportonin pajisjet drejt një ambienti tjetër të marrë me qira në godinën “Downtown One”, në Bulevardin “Bajram Curri”. Aty u zbulua një Qendër e dytë Thirrjesh, në ndërtim e sipër, ku u sekuestruan pajisje kompjuterike, telefona, laptopë, hard disqe, karta SIM dhe dokumente.
Në flagrancë u arrestuan 6 shtetas me inicialet: Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi, Odeas Kuqi

Arrestime, ndalime dhe sekuestrime të mëdha
Paralelisht, SPAK ekzekutoi urdhra ndalimi për shtetasit K.K. dhe H.Xh., ndërsa për 3 persona të tjerë janë lëshuar urdhra ndalimi, por ata ende nuk janë kapur.
Gjatë kontrolleve në 28 ambiente (banesa, zyra, automjete, garazhe), janë sekuestruar:
qindra pajisje kompjuterike
serverë dhe sisteme monitorimi
dokumente financiare
automjete dhe motomjete
një automjet luksoz Ferrari, që dyshohet se i përket organizatorëve
SPAK ka bërë të ditur se hetimet vijojnë për analizimin e pajisjeve, identifikimin e viktimave dhe gjurmimin e rrjedhës së parave, në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare.

Njoftimi i plotë
SPAK ndalon dhe arreston persona të përfshirë në veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rregjistroi procedimin penal nr.03/2026, për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit Kompjuterik”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal,“Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Procedimi u regjistrua në datën 9.1.2026 në Byronë Kombëtare të Hetimit pas paraqitjes së gazetarëve italianë të emisionit investigativ “Le Iene”, që trasnmetohet në Mediaset. Ata kanë dorëzuar materiale të punës së tyre.
Gjatë këtij hulumtumi është identifikuar një Qendër Thirrjesh (Call Center) që ndodhet në Tiranë, në ndërtesën “Atti Tower”, në rrugën “Ibrahim Rugova”, përballë Katedrales Ortodokse, nga ku, autorët e mirëorganizuar dyshohet se kanë mashtruar shtetas italianë dhe europianë për investime në kriptomonedhave të ndryshme.
Investigimi mori shkas nga ankesat e disa shtetasve italianë të mashtruar nga Qendra e Thirrjeve. Gazetarët italianë mundën të infiltrojnë një shtetas italianë, i cili nisi të punojë aty dhe realizoi regjistrimin e të dhënave në ambientet e Qendrës së Thirrjeve. Nga të dhënat rezulton se në këtë veprimtari dyshohet të jenë përfshirë shtetas italianë, rezidentë në Itali dhe të tjerë që jetojnë në Shqipëri, ndërsa transaksionet kryheshin në kriptovaluta, në portofolet e monedhave virtuale tw menaxhuara nga drejtuesit e këtij aktiviteti të kundraligjshëm, duke përdorur platforma mashtruese.
Duke iu referuar materialeve video bëhet fjalë për një Qendër Thirrjesh, që ndodhej në katin e 9-të dhe të 13-të të “Atti Tower”. Nga pamja e përgjithshme, dinamika e komunikimit dhe veprimet e personit që kryen regjistrimin apo edhe personave të tjerë, shihet se është një qendër e mirëorganizuar e thirrjeve telefonike, me poste pune të ndara, role të përcaktuara dhe staf që operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane.
Pas regjistrimit të këtij procedimi penal, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë nisur menjëherë puna për identifikimin e organizatorëve dhe dokumentimin e aktiviteti kriminal të mashtrimit.
Nga veprimet e para hetimore të BKH-së, rezultoi se organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, duke përdorur jo vetëm kamerat filmike statike, por edhe personel civil vëzhgimi, jashtë kësaj Qendre.
Ekzistojnë indicie të qarta se mbrëmjen e datës 15 Janar 2026, pas përfundimit të punës, pjesëtarë të këtij personeli vëzhgues, kanë njoftuar pronarët e Qendrës për një ndërhyrje të mundshme. Pas kësaj, në orët e para të mëngjesit të datës 16 Janar 2026, janë larguar pajisjet dhe është boshatisur edhe ambienti i Qendrës së Thirrjeve.
Pas ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme, nr.85, datë 15.1.2026, hetuesit e BKH-së konstatuan në datën 16 Janar 2026, boshatisjen e ambientit dhe largimin e pajisjeve dhe personelit. Falë veprimeve të shpejta dhe të pandërprera hetimore u bë i mundur identifikimi i personave dhe automjeteve të përdorura për largimin e pajisjeve kompjuterike dhe sistemeve nga Call Center-i. Pas gjurmimit të tyre, në një kohë të shkurtër, u realizua kapja në flagrancë e disa shtetasve, të cilët kishin transportuar gjatë natës materiale drejt një ambient tjetër të marrë me qira në “Downtown One”, në Bulevardin Bajram Curri.
Pas kapjes në flagrancë të këtyre shtetasve, hetuesit kanë bërë kontrollin me iniciativë të ambientit në katin e 5-të të godinës, ku është konstatuar një Qendër tjetër Thirrjesh, në ndërtim e sipër. Aty u gjetën pajisje kompjuterike, telefona, hard disqe, laptopë, karta të ndryshme SIM, dokumente, blloqe me shënime. Personat e kapur në flagrancës, po transportonin një kosh mbeturinash, i cili përmbante sende të dyshuara të marra nga Qendra e Thirrjeve në rrugën “Ibrahim Rugova”, të cilat ishin duke i asgjësuar.
Në kushtet e kapjes në flagrancë është kërkuar mbështetja e punonjëve të Policisë të Drejtorisë Vendore Tiranë.
Shtetasin e arrestuar në flagrancë janë 6 persona me inicialet: R.Gj., D.Q., E.Gj., E.M.,R.P.,O.K..
Gjithashtu, paralelisht me identifikimin e Qendrës së dytë të thirrjeve, në sajë të veprimeve verifikuese, janë nxjerrë dhe ekzekutuar urdhrat e ndalimit për shtetasit me inicialet; K.K. dhe H.XH., si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Në ecuri të veprimeve hetimore, në datë 17.1.2026, janë lëshuar dhe urdhrat e ndalimit për tre shtetas tw tjerw, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga netet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal, të cilët nuk janë gjetur deri në këto momente.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në 28 ambiente; banesa, automjete, zyra, garazhde, etj, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, qindra pajisje kompjuterike të cilat janë në proces verifikimi, sisteme monitorimi të kamerave, sisteme të rrjetit kompjuterik, pajisje memorizuese, server, dokumente të Qendrës së Thirrjeve, subjektit “Infinite” shpk dhe subjekteve të tjerë në proces verifikimi.Gjithashtu janë sekuestruar edhe automjete të përdorur nga autorët e dyshuar, motomjete si dhe një automjet luksoz i markës Ferrari, që dyshohet se i përket organizatorëve të këtij aktiviteti.
Prokuroria e Posaçme vijon kryerjen e veprimeve hetimore për inventarizimin e të gjitha pajisjeve kompjuterike, sekuestrimin, analizimin e tyre si dhe identifikimin e të gjithë viktimave të veprës penale, në bashkëpunim me autoritetet e huaja.
Falenderojmë Policinë e Shtetit për mbështetjen e dhënë në fazën e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme si edhe gjatë veprimeve të mëtejshme për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.
Prokuroria e Posaçme falenderon në mënyrë të veçantë edhe stafin e emisionit investigativ italian “Le Iene” të “Mediaset”, falë punës të së cilëve, u bë e mundur inicimi dhe hetimi i këtij rasti të mashtrimit masiv në Qendrën e Thirrjeve në Shqipëri.
Gjithashtu, SPAK u tërheq vëmendjen qytetarëve dhe medias për fenomenin e mashtrimit online përmes Qendrave të Thirrjeve (Call Center) dhe kjo është një veprimtari që do vazhdojë të ndiqet me prioritet edhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Nga ana tjetër, një apel u shkon edhe shtetasve që punojnë në këto qendra, për t’u ndërgjegjësuar dhe për t’u mos bërë pjesë e veprimtarive të paligjshme.




