
Në ambientet e Royal Court of Justice në Londër, pesë shtetas, përfshirë një shqiptar me pasaportë britanike dhe katër britanikë, kanë zhvilluar sot një tjetër betejë ligjore për të shmangur ekstradimin drejt Shqipërisë, ku akuzohen për përfshirje në vrasjen mafioze të biznesmenit Ardian Nikulaj, në prill të vitit 2023 në Lezhë.
Avokatët mbrojtës të Edmond Haxhisë, Thomas Mithan, Harry Simpson, Harriet Bridgeman dhe Steven Hunt janë paraqitur prej orës 11:30 përpara gjykatës angleze për të kërkuar leje për apelimin e vendimit të 27 gushtit 2024, me të cilin u pranua kërkesa e Shqipërisë për ekstradimin e tyre.
Avokatët po përdorin Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut si argument për të ndalur dorëzimin e të kërkuarve tek drejtësia shqiptare. Sipas tij, gjyqtari Mr. Justice Swift deri më tani nuk është dukur i bindur nga linja mbrojtëse, por ende nuk është e qartë nëse vendimi do të shpallet brenda seancës së sotme.
Akuzat
Sipas Prokurorisë së Lezhës, Edmond Haxhia — me origjinë shqiptare, por shtetësi britanike — është personi që mbërriti në Shqipëri në shkurt 2023, me pretekstin e një fejese, ndërkohë që në të vërtetë koordinonte ekzekutimin e Nikulajt. Ai dyshohet të jetë truri pas planit.
Katër të tjerët, Mithan, Hunt, Simpson dhe Bridgeman, akuzohen se kishin rol kyç në survejimin e viktimës. Prokuroria thotë se ekzistojnë prova filmike dhe shkencore të pakundërshtueshme që i lidhin ata me lëvizjet e Nikulajt në ambientet e restorantit “Coral” në Shëngjin.
Informacionet që ata kanë përçuar i shërbyen vrasësit me pagesë Ruben Saraiva, një shtetas portugez i rekrutuar në Angli, i cili ekzekutoi Nikulajn me 6 plumba të qëlluar me armë tip TT.
Pas krimit, Saraiva u largua drejt Greqisë nëpërmjet Kapshticës, më 19 prill 2023, më pas për në Marok, ku u arrestua dhe ekstradua në Shqipëri më 31 dhjetor 2023. Ai tashmë ndodhet në paraburgim dhe përballet me procesin penal në Gjykatën e Lezhës.
Nikulaj u ekzekutua më 19 prill 2023 në Shëngjin në hotelin e tij. Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ishte në vazhdën e zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me fisin Lekstakaj, konflikt ky që ndër vite ka prodhuar shumë viktima. Versus.al







