
Pas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka përgënjeshtruar deklaratën e policisë së Vlorës, lidhur me qytetarin që u rrëmbye dhe u tërhoq zvarrë brenda territorit të rrethuar me gardh nga disa punonjës të një kompanie private.
Drejtoria e Policisë së Shtetit ka kërkuar ndjesë publike duke deklaruar se qytetari nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar.
“Në këto rrethana dhe pavarësisht se në të gjithë pjesën tjetër komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast”.
Ndërsa lidhur me pretendimet e protestës në fjalë, Policia e Shtetit thotë se janë ndjekur me vëmendje dhe territori i rrethuar rezulton pronë tërësisht private, me dokument të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin.
“Prandaj përfitojmë nga rasti që t’u drejtohemi edhe qytetarëve që protestojnë, duke nënvizuar se çdo pretendim mbi një pronë private apo zhvillimin e saj, adresohet në Gjykatë.
Policia e Shtetit ka për detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor”, thuhet në deklaratën e policisë së shtetit. Versus.al

