
Tiranë- Prokuroria ka kërkuar dënimin me 3 vite burg për Mariela Berishën dhe 3 vite shërbim prove për Antonela Berishën, dy motrat që dhunuan brutalisht blogeren Klea Prenga më 6 gusht të vitit të kaluar.
Mariela Berisha aktualisht ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa motra e saj Antonela Berisha, në “detyrim paraqitje”. Në rast se gjendet fajtore, Mariela Berisha e cila akuzohet për plagosje me dashje, përfiton nga gjykimi i shkurtuar duke e zbritur dënimin në 2 vite burg.
Ngjarja që mori shumë vëmendje në opinionin publik, ndodhi më 6 gusht të vitit të kaluar, në ambientet e një lokali teksa 26 vjeçarja Klea Prenga po konsumonte darkë me shoqet e saj.
Pamjet filmike të kamerave të sigurisë treguan momentin kur dy motrat sulmonin të renë duke e goditur edhe me gotë xhami në fytyrë, gjë që i shkaktoi dëmtime të përhershme.
Të dyja motrat u dorëzuan në polici më 16 tetor, më shumë se dy muaj pas ngjarjes së ndodhur. Blogerja vazhdimisht ka publikuar në rrjetet sociale detaje nga konflikti me motrat Berisha që dyshohet se ka nisur për shkak të biznesmenit Miri Pepa me të cilin Mariela Berisha kishte qenë e martuar më parë. Versus.al








