Janë zbardhur dëshmitë në gjyq të dy motrave Antonela dhe Mariela Berisha të cilat akuzohen për dhunën brutale të ushtruar ndaj Klea Prengës.
Në dëshminë e saj Antonela është shprehur se nuk kanë pasur si qëllim ndodhjen e një ngjarje dhe aq më tepër me një pasojë të tillë. Sipas ish-banores së Big Brother Vip, ajo së bashku me motrën e saj kanë shkuar në një restorant ku kjo e fundit e provokuar nga viktima është ngritur dhe e ka qëlluar. Më pas ka ndërhyrë mes tyre vetëm për t’i ndarë, dhe mbi të gjitha për të mbrojtur motrën e saj.
”Më vjen shumë keq për çfarë ka ndodhur. Nuk ka qënë aspak qëllim i yni që të ndodhte një ngjarje dhe aq më tepër një pasojë e tillë. Kemi shkuar në restorant, të dyja me motrën për të darkuar. Në një moment ajo është ngritur rrëmbyeshëm nga tavolina, e provokuar nga sjellja e viktimës. Në gjaknxehtësi e sipër, aty në moment, ka rrëmbyer një gotë dhe e ka qëlluar viktimën. Kam ndërhyrë mes tyre vetëm për t’i ndarë, dhe mbi të gjitha për të mbrojtur motrën time. Ka një vit që nuk ndihet aspak mirë. E provokuar në mënyra të ndryshme. Më vjen shumë keq dhe nuk e shikoj dot motrën time në këtë gjëndje. Kërkoj ndjesë, dhe jam e gatshme të bëj gjithçka për të normalizuar marrëdhëniet dhe për ta ndihmuar viktimën të rehabilitohet fizikisht, për sa na takon. Kërkoj ndjesë publike përpara Gjykatës.” është shprehur Antonela.
Ndërsa Mariela Berisha ka shprehur shenja pendese për atë çfarë ka ndodhur duke shtuar se ka mbi një vit që po kalon një moment dhe një situatë të vështirë psikologjike. Ajo është shprehur gjithashtu se është në një bashkëjetesë dhe ka një fëmijë 2 vjeç i cili kërkon kujdesin e saj.
''Kërkoj falje për çfarë kam bërë. Nuk e kam dëshiruar, dhe nuk e kam kërkuar apo planifikuar një situatë të tillë dhe aq më pak një pasojë të tillë. Kam mbi një vit që po kaloj një moment dhe një situatë të vështirë psikologjike. Jam në një bashkëjetesë, dhe kam një fëmi 2 vjeç, i cili ka nevojë për mua dhe për praninë dhe kujdesin tim. Kërkoj mëshirë.” është shprehur Mariela.
Ditën e sotme Gjykata caktoi masën e sigurisë "detyrim paraqitje" për Antonela Berishën ndërsa për Mariela Berishën gjykata caktoi masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.
Dy motrat akuzohen për rrahjen brutale të 24 vjeçares Klea Prenga. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 6 gushtit kur motrat Berisha shkuan në një restorant ku ndodhej Klea Prenga dhe e goditën me shishe qelqi në fytyrë.
Shkak i ngjarjes mësohet se kanë qenë dyshimet e Mariela Berishës se burri i saj e tradhtonte me 24-vjeçaren. /Versus.al








