
Mamaja e një prej protestuesve të liruar një ditë më parë ka deklaruar gjatë fjalës së saj në protestë se i biri është dhunuar dhe se ai mban ende shenja dhune në trup.
Ajo tha se ka parë pamjet e dhunës ndaj të birit dhe se kjo e ka bërë më të vendosur për të vazhduar pjesëmarrjen në protestë.
“Përshëndetje qëndrestarë. Unë jam mamaja e Arbër Lleshit, të cilin ma arrestuan më 2 korrik. Shenjat e grushteve në furgonin e policisë i ka edhe sot, më 6 korrik. Kur kam parë videon që dhunojnë tim bir u bëra më e fortë dhe thashë: nëse kam ardhur një ditë po e një ditë jo se jam e sëmurë, që sot e tutje përditë këtu në shesh do jem dhe këtu na ke”, u shpreh ajo.
Në mesazhin drejtuar kryeministrit Edi Rama, ajo theksoi se protestuesit nuk do të tërhiqen deri në largimin e tij.
“Edi Ramës po i them kështu: ti kujton se do na trembësh me arrestimin e fëmijëve tanë? Përkundrazi, jemi bërë edhe më të fortë dhe do jemi këtu në shesh. Jo 37 ditë, por 37 javë e 37 muaj po deshe, deri sa të largohet kjo klasë politike që e ka masakruar këtë popull”, tha ajo./Versus.al

