
I penduari i drejtësisë, vrasësi me pagesë Nuredin Dumani ka vijuar edhe sot me dëshmitë e tij në Gjykatën e Posaçme ku prej kohësh ka nisur gjykimi për dosjen “Plumbi i Artë”.
I pyetur nga avokatja Elda Zotaj nëse ka dhënë deklarime në komisariatin e Elbasanit pasi ishte arrestuar, Dumani tha se nuk kishte folur pasi i konsideronte të korruptuar.
Avokatja Elda Zotaj: A keni dhënë deklarime para policisë në Elbasan kur u arrestuat?
Nuredin Dumani: Nuk i kam kthyer përgjigje të korruptuarve.
Avokatja Elda Zotaj: A keni dhënë deklarime para prokurorisë në Elbasan kur u arrestuat?
Nuredin Dumani: Kur jam arrestuar më çuan në spitalin e Fierit, isha i plagosur. Pastaj shkova në spitalin ushtarak. Tre persona, Ardian Çipa, Tonin Vocaj dhe Kreshnik Ajazi erdhën të më takonin. Pas arrestimit, deklarimet e para i kam bërë të spitali i burgut.
Ndër të tjera teksa rrëfeu sesi ndodhi ngjarja ku mbeti i plagosur dhe më pas u arrestua, Dumani zbuloi gjithashtu se një shef i krimeve në Elbasan e informonte për Talo Çelën, në këmbim të 10 mijë eurove në muaj.
"Suel Çela ishte i interesuar për vrasjen e Oti Kilës. Ditën e ngjarjes isha vetëm në makinë, kur u qëllova isha shofer. Më qëlluan nga mbrapa. Më pas u ula te sedilja e pasagjerit në makinën X5 kur u plagosa. Oti Kilën e njihja personalisht, kam ndenjur me atë bashkë me vëllain tim. I kemi shitur një makinë dhe i kemi blerë një makinë. Në të njëjtën ditë u bë shit-blerja. Në 2019 një shef krimesh në Elbasan që Henrik Hoxha e kishtë shok, më jepte informacione për Talo Çelën. Shefin ma prezantoi Henriku, ai kërkonte 10 mijë euro në muaj. Një dite para ngjarjes bleva një kallashnikov dhe silenciator në Fier. Sandër Baho më njohu me shitësin. Ditën e ngjarjes kisha mitraloz me 200 fishekë dhe një kallash. Mitralozin ma dha çuni i xhaxhait tim. Makinën për ngjarjen e bleva rreth 5-6 mijë euro, me thanë që ishte e vjedhur në Greqi, por nuk e di”, ka thënë Dumani.
Vrasësi me pagesë në dëshmitë e dhëna në GJKKO është përplasur me disa prej të pandehurve të tjerë, për të cilët ka rrëfyer sesi kanë bashkëpunuar për kryerjen e krimeve të ndryshme. Versus.al








