Zbardhen detaje të reja nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme ndaj Aleksandërh Lahos, i njohur si “Rrumi”, i akuzuar për përfshirje në një skemë kriminale për tjetërsimin e pronave në bregdetin e Durrësit.
Prokuroria e Posaçme ka zbardhur një rrjet të gjerë veprimtarie kriminale që përfshin falsifikime dokumentesh pronësie, korrupsion dhe shpërdorim detyre, të organizuar nga një grup i strukturuar kriminal ku një ndër figurat kyçe është Aleksandër Laho, i njohur me nofkën “Rrumi”.
Procedimi penal nr. 235 i vitit 2020 është regjistruar në vijim të hetimeve për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja në nëntor të vitit 2019, ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku dhe u plagos vetë prokurori, së bashku me Aleksandër Lahon që ndodhej në të njëjtin mjet.
Telefoni që zbuloi gjithçka
Pikënisja e hetimeve për tjetërsimin e pronave ka qenë një telefon Samsung, i sekuestruar në automjetin që transportoi të plagosurit në spital. Telefoni kishte një kartë memorje me foto, dokumente dhe materiale që çuan në zbardhjen e falsifikimeve në ZVRPP Durrës dhe ndërhyrjeve në volume zyrtare të regjistrimit të pasurive.
Në skedarin "Të dhënat e ruajtura", hetuesit gjetën rreth 150 foto të dokumenteve që lidhen me pasuri të regjistruara në mënyrë të dyshimtë në ZK 2375 Lalëz, dhe që më pas rezultuan me ndërhyrje në zërat kadastralë, duke ngjallur dyshime serioze për falsifikim.
Si rezultat, u sekuestrua volumi nr. 4 i kësaj zone dhe gjatë kontrollit rezultoi se një sërë pasurish ishin regjistruar mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara. Kjo përfshin pasuri me numra si: 151/4, 169/6, 176/8, 146/1, 149/4, 145/4, 145/5, 145/6, 144/7 dhe 148/2.
“Mos i çojnë për ekspertim, do na hapen probleme”
Në vijim të hetimeve, një pjesë thelbësore e provave është marrë nga komunikimet në platformën e enkriptuar SkyECC, që përdorej nga anëtarët e grupit për të shmangur përgjimet.
Në një bisedë të datës 25 shkurt 2021, në orën 19:15, përdoruesi i identifikuar si Vullnet Muça (PIN: 1D6EOD) i shkruan Aleksandër Lahos (PIN: L629B3) se do takojë “Benin” për t’i marrë emrat dhe volumet që ka kërkuar prokuroria.
Debati vijon me shqetësim të qartë për kontrollin e materialeve:
Rrumi: “Janë ato që kam pas unë në telefon?”
Neti: “Po, janë ato.”
Rrumi: “Të shpresojmë mos i kanë çuar për ekspertim, se do na hapen probleme.”
Neti: “Ne s’kemi ndërhyrë te firmat dhe vulat.”
Rrumi: “Te AMTP-të jo, po te volumet kemi ndërhyrë.”
Kjo bisedë, sipas SPAK, tregon njohuri të plotë të dyshuarve për manipulimin e dokumentacionit zyrtar dhe shqetësimin për implikimin e tyre në hetime.
Grupi kriminal dhe struktura
Nga hetimi ka rezultuar se pasuritë janë regjistruar në mënyrë të paligjshme me bashkëpunimin e punonjësve të ZVRPP-së dhe ekspertëve privatë, ndërkohë që Laho dhe të afërmit e tij kanë qenë përfitues direkt të pasurive me dokumente të falsifikuara.
SPAK ka arritur të dokumentojë veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal, ku përveç Aleksandër Lahos dhe Vullnet Muçës, përmenden edhe persona të tjerë të përfshirë në prodhimin dhe përdorimin e dokumenteve false.
Hetimet janë në vijim dhe pritet që Prokuroria të paraqesë kërkesa për masa sigurie për të përfshirët në këtë skemë.







