AKTUALITET /

Dosja ku po dëshmon një tjetër i penduar i drejtësisë! GJKKO shtyn për më 17 qershor seancën e radhës, pezullon afatet e paraburgimit për të pandehurit

Alibej është akuzuar si organizatori i vrasjeve me pagesë, të kryera në kuadër të një konflikti të përgjakshëm mes grupeve rivale në Elbasan. Në qendër të dëshmive është vendosur “Masakra e Bradasheshit”, një ngjarje që tronditi opinionin publik më 2018, ku mbetën të vrarë vëllai i Alibejt, xhaxhai i tij dhe një shtetas turk.

Shkruar nga Versus
Dosja ku po dëshmon një tjetër i penduar i drejtësisë!
Talo Çela, Nuredin Dumani dhe Erion Alibej

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shtyrë për në datën 17 qershor, ora 10:00 seancën gjyqësore për dosjen e njohur si “Plumbi i Artë”, një prej çështjeve më të bujshme të viteve të fundit që godet zemrën e krimit të organizuar në Elbasan dhe më gjerë.

Shkak për shtyrjen e procesit u bë mungesa e disa avokatëve mbrojtës të të pandehurve, çka bëri të pamundur vazhdimin e seancës. Gjykata, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), vendosi gjithashtu pezullimin e afateve të paraburgimit për të gjithë të pandehurit në këtë çështje, duke justifikuar vendimin me natyrën komplekse dhe volumin e madh të dosjes.

Në këtë proces ka dëshmuar prej dy javësh Erion Alibej, i konsideruar bashkëpunëtor i drejtësisë, që ka pranuar pjesëmarrjen në disa ngjarje kriminale dhe ka treguar detaje nga aktiviteti i një grupi të strukturuar kriminal, që sipas SPAK, ka porositur dhe ekzekutuar atentate për hakmarrje dhe interesa të trafikut të drogës.

Alibej është akuzuar si organizatori i vrasjeve me pagesë, të kryera në kuadër të një konflikti të përgjakshëm mes grupeve rivale në Elbasan. Në qendër të dëshmive është vendosur “Masakra e Bradasheshit”, një ngjarje që tronditi opinionin publik më 2018, ku mbetën të vrarë vëllai i Alibejt, xhaxhai i tij dhe një shtetas turk.

Në dëshminë e tij, Alibej ka zbuluar detaje për porositësit, organizatorët dhe ekzekutorët e vrasjeve, si dhe për lidhjet me ish-miq dhe tani kundërshtarë të përgjakshëm, si Suel Çela dhe vëllezërit Çopja. Ai ka treguar gjithashtu për gjuetinë ndaj Talo Çelës, personin që sipas tij qëndron pas ekzekutimit të të vëllait.

Në këtë dosje ka dëshmuar edhe Nuredin Dumani, një tjetër bashkëpunëtor kyç i drejtësisë, i cili ka rrëfyer për strukturën dhe mënyrën e funksionimit të skuadrës së vrasësve, për pagesat që jepeshin për atentatet dhe për lidhjet e grupeve kriminale me persona brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Seanca e radhës, ku pritet të vazhdojë dëshmia e Erion Alibej, do të mbahet më 17 qershor. Procesi pritet të zgjasë me muaj, për shkak të numrit të lartë të të akuzuarve dhe përmasave të hetimeve. /Versus.al

Poll