
Pas shtatë muajsh hetime Gjykata e Posaçme ka vendosur dërgimin për gjykim në themel të dosjes së njohur si “afera Partizani”, duke shënuar kështu nisjen e përballjes së parë ligjore mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi.
Në listën e të pandehurve për këtë çështje janë përfshirë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, ortaku i Malltezit, Xhimi Begeja, si dhe financierja e kompanisë "Homeplan", Andia Pustina.
Vendimi u mor këtë të premte nga gjyqtarja Fjorela Davidhi, duke i hapur rrugën zhvillimit të gjykimit për akuzat që lidhen me një aferë të dyshuar korruptive, ku u ndërtuan 19 kulla në truallin e ish-klubit sportiv “Partizani”.
Ish-kryeministri ndodhet aktualisht në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për akuzën e korrupsionit pasiv, ndërsa dhëndri i tij është nën “arrest shtëpie” për akuzat korrupsion pasiv dhe pastrim parash./Versus.al







