AKTUALITET /

Dosja “Partizani”, Ylli Pango thirret si dëshmitar në GJKKO. Ish-ministri refuzon datën e re të seancës gjyqësore

Ylli Pango thirret si dëshmitar në GJKKO për dosjen "Partizani" pasi SPAK dyshon se ai dhe ish-vartësja e tij u vunë në dispozicion të urdhrave të Berishës për të bërë gjithçka për privatizimin e “Partizanit”, që dhëndri i Berishës, Malltezi të ndërtonte 19 kulla dhe të përfitonte minimalisht 5.4 milionë euro

Shkruar nga Versus

Dosja “Partizani”, Ylli Pango thirret si dëshmitar në

Ish-ministri i Sporteve në qeverinë e PD, Ylli Pango ishte një prej dëshmitarëve që do të dëshmonte sot në GJKKO për dosjen “Partizani”.

Sipas burimeve nga GJKKO, mësohet se bashkë me të, në listën e SPAK është dhe dhe ish-drejtoresha e ministrisë që drejtohej atëherë nga Ylli Pango, Violeta Shqevi.

Sipas SPAK, Pango dhe vartësja e tij, u vunë në dispozicion të urdhrave të Berishës për të bërë gjithçka për privatizimin e “Partizanit”, që dhëndri i Berishës, Malltezi të ndërtonte 19 kulla dhe të përfitonte minimalisht 5.4 milionë euro.

Por, seanca e sotme në GJKKO u shty pasi avokati i ndërtuesit Fatmir Bektashi nuk u paraqit në gjyq.

SPAK kërkoi shtyrjen e seancës, kërkesë që u pranua nga trupi gjykues duke caktuar gjyqin e radhës më datë 8 qershor.

Bashkë me Pangon dhe Shqevin, GJKKO vendosi të thërrasë në seancën e radhës edhe 4 dëshmitarë të tjerë, ish-presidentin e klubit Paro Laçi, ish-ministrin e Energjetikës, Genc Ruli, Tetis Lubonja, përgjegjëse në sektorin juridik te Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të pronave, si edhe Altin Ceni, specialist po në këtë agjenci.

Ish-ministri Pango pretendoi në sallë se “nuk ka kohë për tu paraqitur” më 8 qershor dhe Gjykata deklaroi se nëse nuk do të shkojë, atëherë për Pangon do të caktohet një tjetër datë që të dëshmojë.

Pjesa më e rëndësishme, që pritet të marrë vëmendjen në gjyq, është ndryshimi i ligjit për “Sportin” në vitin 2008, i cili lejoi privatizimin e ambienteve sportive për ish pronarët, madje duke lejuar edhe ndryshimin e destinacionit. Pra edhe ndërtimin e kullave.

Fillimisht ligji nuk lejonte privatizimin dhe dhënien me koncesion, në të dyja rastet pa iu ndryshuar destinacioni.

Pango dhe dikasteri që ai drejtonte e ndryshuan ligjin, duke e ndaluar privatizimin, por disa muaj më vonë me ndërhyrje të Berishës bëhet një tjetër ndryshim ligjor.

Tashmë do të lejohej jo vetëm dhënia me koncesion por edhe privatizimi i plotë në favor të pronarëve, madje duke i dhënë të drejtën atyre që të ndryshonin destinacionin. Ashtu siç në fakt ndodhi në ambientet e ish klubit Partizani, ndërtimi i dhjetërave kullave.

 

 

Poll