
Raporti vjetor i Avokatit të Popullit për vitin 2025 ka ngritur një sërë shqetësimesh mbi kushtet në sistemin penitenciar shqiptar, duke kërkuar madje mbylljen e pesë institucioneve të vuajtjes së dënimit për shkak të kushteve të konsideruara si cenuese për dinjitetin njerëzor.
Sipas raportit, disa burgje përballen me probleme të amortizimit, mbipopullimit, mungesës së shërbimeve dhe kushteve jo optimale të jetesës.
Megjithatë, një lexim më i gjerë i situatës tregon se panorama mund të mos jetë kaq e njëanshme dhe dramatike sa paraqitet.
Sistemi penitenciar shqiptar prej vitesh është në një proces reformimi dhe modernizimi, ndërsa autoritetet kanë pranuar publikisht problematikat ekzistuese, por njëkohësisht kanë theksuar se po punohet për adresimin e tyre.
Një ndër shqetësimet e ngritura lidhet me trajtimin shëndetësor, veçanërisht për personat me probleme të shëndetit mendor. Për këtë çështje ka reaguar edhe Ministria e Drejtësisë.
Ministri Toni Gogu deklaroi se puna për përmirësimin e kushteve në Shënkoll është në proces dhe se situata aktuale konsiderohet e papranueshme edhe nga vetë institucionet.
"Jemi në mes të punës për përmirësimin e ndjeshëm të kushteve në Shënkoll, Lezhë, ku janë persona me trajtim të detyrueshëm mjekësor, që vuajnë nga shëndeti mendor. Është e patolerueshme. Jemi në diskutime të avancuara që atë shërbim ta ofrojë Ministria e Shëndetësisë dhe sigurinë Ministria e Drejtësisë", u shpreh Gogu.
Deklarata sugjeron se institucionet nuk po i mohojnë problemet, por po përpiqen të ndërhyjnë konkretisht në sektorët më problematikë.
Në raport përmenden gjithashtu çështje që lidhen me shërbimin shëndetësor dhe kushtet e përditshme. Megjithatë, në institucionet penitenciare ekziston një sistem i ofrimit të kujdesit mjekësor, edhe pse raporti evidenton nevojën për më shumë personel dhe përmirësime të mëtejshme. Po ashtu, ushqimi dhe shërbimet bazë në burgje ofrohen sipas procedurave dhe standardeve të përcaktuara nga institucionet përgjegjëse, ndërsa debatet lidhen më shumë me cilësinë dhe përmirësimin e standardeve sesa me mungesën totale të tyre.
Një tjetër element që duhet konsideruar është fakti se problematikat e mbipopullimit nuk lidhen domosdoshmërisht vetëm me administrimin e burgjeve, por edhe me politikën penale dhe përdorimin e lartë të masës së paraburgimit.
Sipas të dhënave të raportit, rreth 57% e personave në sistemin penitenciar janë të paraburgosur. Kjo tregon se një pjesë e konsiderueshme e ngarkesës në burgje lidhet me vendimmarrjen gjyqësore dhe jo vetëm me kapacitetet e institucioneve.
Sfida mbetet reale, por po aq reale janë edhe përpjekjet për përmirësim. Debati duket se nuk është më nëse ka probleme në burgje sepse ato ekzistojnë por nëse sistemi po ecën në drejtimin e duhur për t'i zgjidhur ato. Dhe sipas autoriteteve, puna për ndryshime konkrete është tashmë në zhvillim.

