
Ky është polici 23-vjeçar Arsen Toska që u plagos me armën e tij të shërbimit gjatë shoqërimit të një personi të arrestuar drejt Komisariatit të Policisë Kuçovë.
23-vjeçari i shtruar në Spitalin e Traumës, ka pësuar dëmtime serioze dhe palëvizshmëri të gjymtyrëve të poshtme.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, autori i dyshuar, Zamir Skënderi, është marrë disa herë në pyetje dhe ka deklaruar se nuk kujton asgjë nga ngjarja, pasi pretendon se ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike.
“Nuk mbaj mend asgjë nga ajo që ka ndodhur pasi kam qenë nën efektin e lëndëve narkotike”, mësohet të ketë deklaruar 45-vjeçari para hetuesve.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës në fshatin Kutalli, në Dimal, teksa efektivët e Patrullës së Përgjithshme po transportonin të arrestuarin nga Fieri drejt Komisariatit të Policisë Kuçovë. Gjatë shoqërimit, Skënderi dyshohet se i ka marrë armën e shërbimit policit Arsen Toska dhe e ka qëlluar brenda automjetit të policisë.
Autori u arrestua menjëherë më pas nga dy efektivët e tjerë që ndodheshin në mjet, ndërsa po përpiqej të largohej nga vendngjarja.

