AKTUALITET /

Dosjet e bujshme, Dumani vijon rëfimet: Si u ekzekutua Elvis Deda, Herik Hoxha më tha se ishte i dehur

Gjatë dëshmisë, Dumani foli konkretisht për vrasjen e Elvis Dedës, duke deklaruar se ekzekutimi ishte kryer nga Henrik Hoxha dhe Festim Qoli.

Shkruar nga Versus
Dosjet e bujshme, Dumani vijon rëfimet: Si u ekzekutua Elvis Deda, Herik
Nuredin Dumani

U zhvillua sot, më 15 prill, në ambientet e GJKKO-së, seanca e radhës për dosjen voluminoze “Plumbi i Artë”, ku dëshminë e tij e vijoi bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani. Në prani të trupit gjykues dhe përfaqësuesve të SPAK-ut, Dumani dha informacione të reja mbi krimet e rënda që tronditën vendin përgjatë një dekade, përfshirë atentate mafioze dhe veprimtari të tjera të paligjshme.

Gjatë dëshmisë, Dumani foli konkretisht për vrasjen e Elvis Dedës, duke deklaruar se ekzekutimi ishte kryer nga Henrik Hoxha dhe Festim Qoli. Ai shtoi se ka mësuar detajet e këtij krimi direkt nga vetë Hoxha, i cili i kishte rrëfyer se vrasja ishte realizuar nga një makinë në lëvizje – një metodë e përdorur shpesh nga grupet kriminale për të shmangur identifikimin dhe arrestimin.

Seanca u karakterizua nga një sërë pyetjesh të drejtuara Dumanit nga avokatët mbrojtës të të pandehurve, të cilët u përpoqën të vënë në pikëpyetje besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e deklarimeve të tij. Pavarësisht kësaj, Dumani qëndroi në linjën e rrëfimeve që ka dhënë edhe më herët në hetime, duke ofruar informacion të detajuar mbi strukturën dhe funksionimin e rrjeteve kriminale me të cilat kishte qenë i përfshirë.

“Me festim Qolin komunikoja pasi i thosha djalit të tezes që punonte te lokali. Festimit i njihja të gjithë familjen. Ulesha ndonjëherë edhe me Petrit Qolin. Kurse për vrasjen e Elvis Dedës, makinën që përdorën ia sollën Festimit nga Fushë-Kosova. Elvis Deda ose ‘Losha’ ka qenë duke drekuar. E ka gjuajtur Enriku dhe ka dalë edhe Festimi që ishte shofer. Kanë djegur makinën dhe kanë ikur për disa kilometër në këmbë. Këto m’i ka thënë Festimi. Se njihja ne atë kohë Henrikun. Elvis Dedjan e kam njohur si shok të Festimit. Te lokali e kam parë. S’kam pasur shoqëri me Dedjan”, rrëfeu Dumani mes të tjerash.

Po ashtu Dumani ka rrëfyer se për ngjarjen i ka treguar edhe Henrik Hoxha, të cilin e pati ushtar të grupit tëtij të vrasësve me pagesë për shumë vite.

“Henriku më ka treguar për vrasjen dhe më tha që ka qene i pirë kur bëri ekzekutimin e Elvis Dedës. Më tha dola, i kam qëlluar, kam qenë i dehur”, vijoi i penduari i drejtësisë.

Dosja “Plumbi i Artë” konsiderohet një nga hetimet më të rëndësishme të viteve të fundit në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri, ku janë përfshirë dhjetëra emra të njohur të botës së krimit dhe zyrtarë të dyshuar për lidhje me këto grupe.

Seancat do të vijojnë në ditët në vazhdim, me Dumani që pritet të japë dëshmi të tjera për ngjarje të pazbardhura dhe për persona me ndikim në organizatat kriminale. /Versus.al/

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: