AKTUALITET /

Drafti i Kodit Penal, Prokurori i Përgjithshëm del publikisht kundër: Rrezikon të minojë funksionimin e drejtësisë

Sipas tij, problemet nuk lidhen vetëm me përjashtimin institucional, por me vetë mënyrën se si është konceptuar dhe ndërtuar ky kod.

Shkruar nga Versus

Drafti i Kodit Penal, Prokurori  i Përgjithshëm del publikisht

Në prezantimin e draftit të ri të Kodit Penal, të mbajtur të premten e kaluar, mungoi një nga figurat kyçe të drejtësisë në vend Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela. Ai nuk mori pjesë, ndonëse ishte ftuar nga Ministria e Drejtësisë, duke deklaruar se vendimi i tij erdhi “për shkak të mosnjohjes paraprake me draftin”.

Në të njëjtën linjë me Çelën, edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, shprehu pakënaqësinë për mospërfshirjen e komunitetit të magjistratëve në hartimin e dokumentit. “Prokuroria e Përgjithshme nuk ka qenë e përfaqësuar zyrtarisht në grupin e punës për hartimin e një kodi të ri penal”, sqaroi Çela.

Sipas tij, problemet nuk lidhen vetëm me përjashtimin institucional, por me vetë mënyrën se si është konceptuar dhe ndërtuar ky kod.

“Diskutimi për një Kod të ri Penal duhej të ishte paraprirë nga një reflektim gjithëpërfshirës mbi nevojën për të. Hartimi i tij duhet të buronte nga zhvillimet sociale dhe ndryshimet globale, e jo nga një proces i nxituar dhe i mbyllur”, deklaroi Çela.

Ai e konsideron tërësinë e këtij procesi si një gabim struktural, që rrezikon të dëmtojë në mënyrë të parikthyeshme funksionimin e sistemit penal. Në përmbajtje, ai thekson se drafti sjell konfuzion për magjistratët dhe hap rrugë për interpretime të ndryshme për raste të ngjashme.

Për më tepër, Çela kritikon frymën represive të draftit, që zgjeron kategoritë e veprave penale dhe sanksionon me burg një numër më të madh sjelljesh, duke rritur rrezikun e kriminalizimit të panevojshëm të individëve në shoqëri.

Sa i përket procesit të konsultimit publik që tashmë është hapur, ai shprehet skeptik: “Këto konsultime kanë ndikim të vogël ose aspak në përmbajtjen thelbësore të draftit. Debati publik, në këto kushte, kthehet në një formalitet pa ndikim real.”

Duke përmbyllur qëndrimin e tij, Çela thekson se Shqipëria ka më shumë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme në Kodit e Procedurës Penale, për të zgjidhur problemet që po pengojnë hetimet dhe gjykimet, sesa për një kod të ri penal që mund të jetë më shumë dëm sesa dobi, nëse nuk hartohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të menduar mirë. /Versus.al/

Poll