Dhomat e Specializuara në Hagë kanë vendosur që Hashim Thaçi, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Bashkim Smakaj të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim, për shkak të akuzave për pengim të administrimit të drejtësisë.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep, gjatë konferencës javore për media të mbajtur të enjten. Sipas saj, Gjykatësja e Procedurës Paraprake ka vlerësuar më 7 dhe 8 prill 2025 se ekzistojnë arsye të forta për të besuar se të akuzuarit paraqesin rrezik për arratisje, pengim të procesit gjyqësor ose kryerje të mëtejshme të veprave penale.
“Gjykatësja konstatoi se këto rreziqe mund të menaxhohen vetëm nëpërmjet vazhdimit të paraburgimit,” tha Griep.
Nga nëntori i vitit 2020, Thaçi së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin ndodhen në paraburgim në Hagë, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që dyshohet të jenë kryer gjatë luftës në Kosovë. Aktakuza ndaj tyre është konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërsa në paraqitjen e parë para trupit gjykues, të gjithë janë deklaruar të pafajshëm. /Versus.al./








