
Jonida Proga, motra e 42 vjeçarit Egli Proga i cili u rrah për vdekje më 10 gusht në Pogradec është përballur me drejtorin e Hetimit të Krimeve të Rënda, Ervin Hodaj lidhur me ngjarjen e rëndë.
Në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Proga duke u bazuar edhe në një video nga vendi i ngjarjes e cila sipas saj është filmuar pas dhunës brutale ndaj 42 vjeçarit të ndjerë, ka kërkuar shpjegim nga Hodaj lidhur me lëvizjet e 2 personave të cilët i konsideron bashkëautorë në vrasje.
Motra e viktimës tha se pas ngjarjes, një prej bashkëautorëve të vrasjes së vëllait të saj, njëri prej autorëve, Leonidha Guçe ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes edhe gjatë kohës që policia mbërriti aty dhe rrethoi zonën.
Nga ana tjetër, drejtori u përgjigj duke thënë se një pretendim i tillë i Jonida Progës, nuk është i konfirmuar.
Pjesë nga përballja në studio:
Jonida Proga: Pyetja e parë për pamjet filmike. Për vendin, njerëzit dhe makina e bardhë. Vendi i krimit është këtu brenda, makina e bardhë këtu është njëra e bashkëautorëve të krimit. Mbrapa janë ulur duke pirë kafe autorët e tjerë, këtu vjen e pi kafe policia. Është makina që në fund i përplaset koka, largohet makina, ky këtu…është Leonidha Guçe, që ka qenë brenda Arian Manellari, që është bashkëpunëtor. Lëviz mjetin në sytë e policisë dhe Leonidha rri ulur në sytë e policisë.
Ervin Hodaj: Nuk e di a është Leonidha apo jo…
Jonida Proga: E di unë…
Ervin Hodaj: Nuk e di a është para këqyrjes apo pas këqyrjes së vendit të ngjarjes…
Jonida Proga: Po flasim për emra konkretë. Ky është jashtë, nuk është i arrestuar. Arjan Manellari lëviz makinën, policia e ka çuar për moskallëzim krimi.
Ervin Hodaj: Sipas provave ai ka kryer atë vepër penale.
Jonida Proga: Si mund të lëvizë nga vendi kjo makinë ku ka piceta gjaku në sytë e policisë?! Arjan Manellari ikën dhe pasi ikën ai… Unë po flas me fakte. Personat nuk janë arrestuar, Leonidha Guçe po pi kafe nën hundën e policisë.
Hodaj hodhi poshtë dyshimet se policia nuk ka kryer hetimet e nevojshme për ngjarjen, duke thënë se janë të gjitha inspektimet si nga policia ashtu edhe AMP-ja dhe Avokati i Popullit.
Si autor i vrasjes së ndodhur në muajin gusht është arrestuar Denis Meçi. Ndërsa 3 të tjerë, konkretisht Voltan Shulku, Leonidha Guçe dhe Arian Manellari kanë rënë në pranga për veprat penale “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ata dyshohet se kanë qenë të pranishëm gjatë dhunimit të 42 vjeçarit Egli Proga. Autori i dyshuar i krimit tha për policinë se nuk kishte pasur qëllim vrasjen e Progës por vetëm ta godiste me një shpullë për një konflikt që kishin pasur më herët.
Ngjarja zbuloi një skandal në institucionet e shëndetësisë dhe policisë së shtetit, pasi autopsia nxorri përfundimin se trupi i Egli Progës nuk kishte shenja dhune, ndërsa më herët njoftimi i policisë pretendonte se bëhej fjalë për një rrëzim të një personi të dehur në rrugë që më pas kishte ndërruar jetë. Për ngjarjen pati protesta në Tiranë ku u kërkua marrja e masave për tentativën e fshehjes së krimit të rëndë. Versus.al







